Foto: FFK

Platini e konfirmon se shumë shpejt do të jetë për vizitë në Kosovë

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, të cilët po qëndrojnë në Zvicër, sot, pas takimit me presidentin e UEFA-s, Aleksander Çeferin, e kanë takuar në një takim joformal dhe miqësor ish-presidentin e UEFA-s, Michel Platini.

Me këtë rast presidenti Ademi e ka falënderuar legjendën e futbollit francez për gjithçka çfarë bëri për futbollin e Kosovës dhe për hapjen e rrugës së anëtarësimit në UEFA.

Njëherësh atij iu bë ftesë për të qenë mysafir i FFK-së si shenjë falënderimi për atë që bëri për futbollin e Kosovës, të cilën ai e pranoi me kënaqësi.

“Nga ana e tij Platini e kujtoi rrugëtimin e FFK-së për në UEFA e FIFA, derisa me nostalgji e kujtoi presidentin Fadil Vokrri dhe shprehu dhimbjen dhe ngushëllimet më të sinqerta për vdekjen e tij”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Platini premtoi se shumë shpejt do të jetë për vizitë në Kosovë.