Lacoste me logo të përkohshme për t’i ndihmuar speciet në rrezik

Lacoste ka zëvendësuar përkohësisht logon e krokodilit në bluzat e tyre polo me imazhet e 10 specie të rrezikuara për t’i ndihmuar kundrejt kërcënimit të zhdukjes, raporton CNN.

Bluzat, të cilat janë në numër të kufizuar, për të mbështetur fushatën ‘’Mbroni Speciet Tona’’, e cila u lansua në javën e modës në Paris në mars, u shitën.

Ato që e zëvendësojnë krokodilin mbi pjesën e majtë të kraharorit në bluzë janë: delfini i Gjirit të Kalifornisë, Breshka me zhguallin me kulm e Birmanisë, Tigri i ishullit Sumatra, Iguana e ishullit Anegada dhe Lemuri sportiv i veriut mes së tjerash.

Kompania franceze e veshjeve e kalibroi numrin e bluzave të prodhuara për çdo seri për t’i përkuar popullatës së kafshëve të ngelura në zonat e egra. Nga 1775 bluzave në dispozicion, delfini i Gjirit të Kalifornisë pati numrin më të vogël të stampimit me vetëm 30 të tilla në dispozicion.

Iguana e ishullit Anegada, përkundrazi, kishte 450 stampime kësisoj. Të ardhurat i shkuan Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (International Union for Conservation of Nature, IUCN), një organizatë ndërkombëtare advokuese që punon për mbrojtjen e natyrës, e cila sponsorizoi fushatën.

‘’Së bashku, këta reptilë të rrallë, shpendë dhe gjitarë kryesojnë në gjendjen e vështirë të gjitha specieve të njohura si nën kërcënim’’, IUCN tha në një deklaratë.

Shërbimi i Botës së Egër dhe Peshqve të ShBA-së (The US Fish & Wildlife Service) ka vendosur 1459 kafshë në listën e të rrezikuarve dhe nën kërcënim.

Eksperti i botës së egër Jeff Corwin përgëzoi përpjekjen e Lacoste dhe tha që shpresonte që kjo t’i frymëzonte kompanitë e tjera të ndërmerrnin projekte të ngjashme.

‘’Është një fillim i jashtëzakonshëm dhe po shpresoj që është veç fillimi dhe frymëzon kompani të tjera të ndjekin të njëjtin shembull’’, tha Corwin për CNN. ‘’Mbase Jaguar do bëjë diçka për jaguarët. Kamionët Ram mbase do fillojnë të mbrojnë delet brigjata’’.

‘’Gjenerimi i vetëdijes është baras me rëndësi me ngritjen e fondeve pasi për të zgjidhur problemin nevojitet të kuptosh sfidat’’, shtoi ai.

Lacoste është një kompani franceze e veshjeve e themeluar në vitin 1933 nga tenisti Rene Lacoste dhe Andre Gillier. Logoja e krokodilit është prezantuar në vitin 1936 dhe që asokohe kompania nuk ka shitur asnjëherë veshje me logo tjetër./CNN