Hendboll, Kosova U-18 vazhdon me fitore, e mposht edhe Moldavinë (Foto)

Kosova U-18 ka shënuar edhe fitoren e dytë në kuadër të IHF Trophy.

Sonte, hendbollistët kosovarë kanë fituar kundër Moldavisë me rezultat 32:22. Gara po zhvillohet në Prishtinë.

Pjesa e parë e ndeshjes përfundoi me epërsinë e vendasve 12:10.

Ajo që vlen të theksohet është se Kosova prej fillimit ka qenë në avantazh.

Pjesa e dytë solli më shumë gola dhe ishte më e lehtë për vendasit, pasi përfundoi me epërsi prej 10 golave.

Rezultati përfundimtar ishte 32:22.

Trajneri i Kosovës U-18,  Jeton Havolli pas ndeshjes deklaroi për KALLXO.com, se ndeshjen e sotme ndaj Moldavisë e kanë marrë me një seriozitet shumë më të madh dhe pas kësaj fitore presin ta rrëmbejnë vendin e parë.

“Këtë lojë e kemi marrë me një seriozitet shumë më të madh duke e pasur parasysh që Moldavia kanë një traditë në hendboll, duke e pasur parasysh që këta e patën lojën më herët me Shqipërinë ku nuk i kanë shfrytëzuar të gjithë lojtarët e tyre për shkak të rivalitetit që nuk kanë qenë të barabartë. Mirëpo, lojtarët tanë të Kosovës kanë treguar një lojë burrërore edhe është meritë e tyre, kjo na jep të drejtë që na të luftojmë për vendin e parë dhe për medalje. Nesër ndaj ndeshjes kundër Shqipërisë do të jetë një rast i madh për t’i provokuar disa lojtar që kanë pasur më pak minuta gjatë këtyre dy ndeshjeve”, ka thënë Jeton Havolli.

Golashënuesit më të mirë te Kosova ishin Jeton Vokshi dhe Ylli Muqolli me nga shtatë gola.

Nesër Kosova do të luajë ndaj Shqipërisë.

Ndeshja nis në ora 16:00, dhe zhvillohet në sallën “1 Tetori”.

Lojtarët e Kosovës U-18 duke e festuar fitoren ndaj Moldavisë – Foto: Kallxo.com
Lojtarët e Kosovës U-18 duke e festuar fitoren ndaj Moldavisë – Foto: Kallxo.com
Lojtarët e Kosovës U-18 duke e festuar fitoren ndaj Moldavisë – Foto: Kallxo.com
Momente gjatë zhvillimit të ndeshjes Kosova U-18- Moldavia U -18 Foto: Kallxo.com