FFK: Superliga nga sezoni 2020/2021 do të ketë 10 ekipe

Federata e Futbollit e Kosovës sot e ka mbajtur kuvendin e punës për vitin 2018, ku u morën disa vendime.

Ky kuvend mbahet një herë në vit dhe pasqyron të arriturat e kësaj Federate brenda 1 viti.

Në këtë takim morën pjesë 53 nga 59 delegatë sa ka gjithsej kuvendi.

Delegatët kanë votuar për raportin e punës dhe raportin financiar për vitin 2018 në FFK, po ashtu edhe raportin e garave dhe parashtresave e ankesave dhe vendime të ndryshme.

Ky kuvend u vëzhgua nga kryetari i Federatës së Futbollit të Shqipërisë Armando Duka, si anëtar i Komitetit Ekzekutiv i UEFA-s.

Buxheti i FFK-së për vitin 2018 ka kapur vlerën mbi 11 milionë euro dhe gati 90% e të hyrave kanë qenë nga FIFA E UEFA, ndërsa pak mbi 10% të hyrave kanë qenë nga sponsorët, dënimet, anëtarësimet dhe të drejtat televizive.

Në kuvendin e punës të FFK-së, delegatët miratuan raportet financiare dhe ato të punës e të garave të FFK-së pa ndonjë vërejtje.

Po ashtu, u vendos që Superliga e Kosovës nga sezoni 2020/2021 të jetë me 10 skuadra.

Gjithashtu u nda pagë për gruan e Fadil Vokrrit.

FFK-ja e miratoi pensionin e bashkëshortes së Fadil Vokrrit, me propozimin e Abedin Zekës, delegatit të Trepçës ’89, pastaj kuvendi e miratoi kërkesën. Ky vendim u përkrah nga të gjithë delegatët.