FFK-ja konfirmon: Janë shitur të gjitha biletat online

Kosova të martën do të luajë kundër Azerbejxhanit, me fillim prej orës 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndeshje e vlefshme për xhiron e fundit të Grupit 3 të Ligës D në Ligën e Kombeve.

Shitja e biletave deri më tani ka qenë problematike pasi ka pasur shumë tollovi e probleme në mënyrë që të sigurohet një biletë nga tifozët në mënyrë fizike.

E Federata e Futbollit e Kosovës, kishte njoftuar se prej ndeshjes kundër Azerbejxhanit, biletat do të shiteshin në sistemin online, gjë e cila edhe ndodhi, pasi të enjten në orën 12:30 kanë dalë në shitje. Mirëpo shitja e tyre ka pasur disa probleme, si mosfunksionimi i sistemit në të cilin është dashur të blihen biletat online.

Zyrtarja për Informim e FFK-së., Diturie Hoxha tha për KALLXo.com se janë shitur të gjitha biletat online e numri i tyre shkon diku përafërsisht 10 mijë. Ndërsa sa i përket tifozërisë zyrtare të Kosovës, “Dardanëve”, për këtë ndeshje u janë ndarë 2 mijë bileta.

“Biletat online janë shitur të gjitha, përafërsisht 10 mijë bileta. 2000 mijë bileta janë ndarë për tifozërinë “Dardanët”, ndësa 115 bileta për tifozët e Azerbejxhanit”, ka thënë Diturie Hoxha për KALLXO.com.

Shitja e biletave në sistemin online për ndeshjen ndaj Azerbejxhanit është hera e parë që është lansuar ky sistem nga ana e FFK-së.