Agim Cana. Foto: KF Vëllaznimi/Facebook

FFK-ja dënon Agim Canën me 6 muaj mos-ushtrim të detyrës

Komisioni disiplinor i shkallës së parë të FFK-së ka dënuar me 6 muaj ndalesë të kryerjes së funksionit zyrtar të klubit, kryetarin e Vëllaznimit, Agim Canën.

Sipas vendimit, Cana dënohet për deklarata ofenduese dhe të pa bazuara për futbollin e Kosovës.

“Agim Cana, kryetar i KF Vëllaznimi, në ndeshjen e zhvilluar me 01.06.2019 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, fton mediat në zhveshtore të KF Vëllaznimi, prononcohet duke dhënë deklarata ofenduese, fyese dhe të pa bazuara për futbollin e Kosovës në prezencë të futbollistëve dhe mediave. Ky veprim i tillë është në kundërshtim me kodin e etikës sportive. Konform Rregullores DËNOHET me ndalesë të kryerjes së funksionit zyrtar në klub, në kohëzgjatje për 6 muaj për të gjitha ndeshjet e organizuara nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës”, thuhet në vendim.

Komisioni gjithashtu ka dënuar edhe dy zyrtarë të tjerë të klubit, Ahmet Morinën dhe Blerim Vulën me 3 muaj mos funksion të detyrës zyrtare, ndërsa klubin Vëllaznimi e ka dënuar me 1 mijë euro, me afat prej 15 ditëve për të paguar dënimin.