Feronikeli apo Prishtina, kush do të shpallet kampion sipas Shotanit e Sermaxhajt?

Të dielën në Drenas do të luhet ndeshja ‘finale’ e kampionatit 2018/2019 në Superligën e Kosovës.

Feronikeli në stadiumin “Rexhep Rexhepi” do ta presë Prishtinën prej orës 16:00.

Nikli aktualisht është në vendin e parë me 77 pikë, ndërsa Prishtina në vendin e dytë me 75 pikë.

Skuadrës së Zekirija Ramadanit do t’i mjaftojë edhe barazimi që të shpallet kampion, ndërkaq Prishtinës së Mirel Josës i duhet me çdo kusht që ta arrijë fitoren në mënyrë që të shpallet kampion.

Prishtinës po i ndodh për të dytin vit radhazi që të vendos për fatin e titullit.

Në sezonin e kaluar luante si vendas në xhiron e fundit ndaj Dritës, në Pejë, dhe për t’u shpallur kampion i duhej fitorja me rezultat prej 2-0, por kryeqytetasit e humbën titullin, pasi barazuan me rezultat 0-0, duke u shpallur Drita kampion për sezonin 2017/2018.

Feronikeli ka vendosur që të dielën të mos lejojë hyrjen e fëmijëve nën moshën 15 vjeçare në stadium edhe nëse pajisen me biletë. Këtë e ka cilësuar si jo të drejtë Federata e Futbollit e Kosovës për KALLXO.com.

Feronikeli penalizon fëmijët, nuk i lejon ta shikojnë ndeshjen kundër Prishtinës në stadium

KALLXO.com ka kontaktuar trajner dhe analistë të futbollit për të parë se cila skuadër pritet të shpallet kampion për sezonin 2018/2019.

Trajneri dhe analisti i futbollit Bekim Shotani thotë se cilado skuadër që shpallet kampion do ta fitojë me meritë titullin.

“Është një rrugëtim prej 32 xhiro të luajtura, të dy skuadrat treguan lojë cilësore. Cila prej dy këtyre skuadrave që fiton do të jetë me meritë”, thotë fillimisht Shotani.

Për Shotanin, përparësi e Feronikelit në këtë ndeshje janë pikët dhe terreni vendas. Por, sipas tij faktor me rëndësi në këtë ndeshje do të jenë gjendja psikologjike e lojtarëve.

“Feronikeli ka një përparësi prej dy pikëve dhe favorizohet si vendas. Por nuk duhet harruar që kjo është një finale e madhe për titull. Prandaj në këto raste faktor me rëndësi është gjendja psikologjike, psikike e kondicionale e lojtarëve. Faktor tjetër me rëndësi është edhe trajneri se si do t’i qaset kësaj ndeshjeje në aspektin tekniko – taktik dhe filozofik të lojës”, thekson Shotani për KALLXO.com.

Ish-trajneri i disa skuadrave kosovare thotë se Prishtina e ka vazhdimësinë e fitoreve dhe e ka përvojën e madhe te disa lojtarë siç është Armend Dallku. Sipas tij, Nikli duhet ta ruajë gjakftohtësinë para kësaj ndeshje dhe presioni do të jetë mbi të.

“Unë mendoj që te Prishtina dominon vazhdimësia e fitoreve dhe ngritja e vazhdueshme e lojës si dhe përvoja e madhe e disa lojtarëve në krye me Armend Dallkun. Duhet shikuar edhe Feronikelin se sa do të jetë në gjendje ta ruajë gjakftohtësinë para kësaj sfide, sepse luan para shikuesve të vet dhe do të jetë në presion. Si do ta menaxhojë presionin dhe sa do të jetë në gjendje ta menaxhojë lojën”, ka shtuar ai.

Bekim Shotani e favorizon për këtë ndeshje.

“Për fund mendimi im është se 55% e favorizoj Feronikelin për titull, ndërsa Prishtinën me 45%”, e parashikon kampionin e ri të Superligës së Kosovës.

Bekim Shotani, trajner i Llapit, Foto: Facebook/ Llapi

Ndërkaq, Genc Sermaxhaj, analist i futbollit thotë se vetë fakti që kampionati do të vendoset në xhiron e fundit, kjo bën të kuptojë se kampionati është tejet interesant.

“E pabesueshme por e vërtetë. Për të dytin vit rresht vendos ndeshja e fundit e kampionatit, çka e cilëson kampionatin si shumë interesant. I tillë po del të jetë ngase kjo ndeshje është finale për të dy ekipet”, shprehet Sermaxhaj.

Sermaxhaj thotë se në këtë ndeshje përparësi do të ketë Feronikeli.

“Përparësia mbetet në anën e Feronikelit, përparësi fusha dhe pikët, prandaj ndeshja do të jetë e zjarrtë për 90 minuta. Më me qetësi në lojë do të futet Nikli, por e kujdesshme deri në maksimum që mos të pësojë gol, sepse ekipi që pranon gol i pari, mund ta humb krejt ndeshjen”, thotë Genc Sermaxhaj.

Për Sermaxhajn, Prishtina do ta ketë të vështirë sepse ka ngarkesë psikike.

“Prishtina do ta ketë të vështirë, i duhet fitorja me çdo kusht, janë në ngarkesë psikike, sepse po i përsëritet e dyta herë radhazi në ndeshjen e fundit të vendoset titulli dhe presioni është mbi ta”, potencon ai.

Ish-futbollisti i disa skuadrave kosovare thotë se Feronikeli gjatë tërë sezonit ka bërë lojëra të bukura duke shënuar mbi dy gola për ndeshje, ndërsa Prishtina për të ka qenë e ngathët dhe egoiste në shumë raste në fazën e sulmit dhe mesfushë.

“Gjithashtu në ndeshje përparësi mund të ketë Feronikeli, sepse gjatë kampionatit ka bërë lojëra më të mira duke shënuar mesatarisht mbi dy gola për ndeshje, bën lojë me ofensive, posedon më shumë topin gjë që i jep mundësi të krijojë raste e të shënojë më shumë gola. Prishtina në mbrojtje e sigurt, por në mesfushë dhe në sulm ka çaluar në këtë kampionat, nuk ka qenë shumë atraktive, por e ngathët e egoiste në shumë raste”, thekson Genc Sermaxhaj.