Dragusha e Sermaxhaj tregojnë cilat ekipe do të garojnë për kampion e cilat për mbijetesë

Sezoni pranveror në futbollin kosovar do të fillojë këtë të premte me ndeshjen KEK-u – Llapi, e cila luhet në stadiumin “Agron Rama” në Obiliq.

Xhiroja e 18-të në Superligën e Kosovës, po ashtu, sjell derbin lokal ndërmjet Dritës dhe Gjilanit, por edhe ndeshje të tjera interesante.

Prishtina e mbylli sezonin vjeshtor si kampion me 40 pikë, e ndjekur nga Feronikeli me 39 dhe Llapi me 35.

KEK-u e mbylli sezonin duke u radhitur i fundit me vetëm një pikë nga 17 ndeshje.

Sezoni pranveror pritet të jetë interesant edhe për çështjen e fitimit të titullit të kampionit, por edhe për luftën për mbijetesë, pasi skuadrat si Ferizaj, Liria, Ballkani, Flamurtari e Trepça 89’, gjenden afër kësaj zone.

Për ta parë se cilat skuadra priten të jenë konkurrente për të parin e tabelës deri në fund te sezonit, e cilat priten të luftojnë për mbijetesë, KALLXO.com, ka kontaktuar analistët sportivë Genc Sermaxhaj dhe Muhamet Dragusha.

Analisti dhe ish-futbollisti Muhamet Dragusha pret që do te kemi një supersezon në pranverë, ku do të ketë rivalitet të madh ndërmjet ekipeve të kreut të tabelës.

“Do të jemi dëshmitarë të një supersezoni, sikurse vitin e kaluar ku deri në ndeshjen e fundit nuk patëm një kampion. Pastaj do të kemi një luftë të pakompromis për mbijetesë, ku secila skuadër ka bërë përforcimet e duhura që të forcohet në luftë për aspiratat që i kanë përpara”, thotë Dragusha.

Sipas ish-futbollistit të Kombëtares së Kosovës, skuadrat të cilat do të luftojnë për t’u shpallur kampion janë Prishtina, Feronikeli dhe Llapi.

“Për titull janë skuadra si Prishtina, Feronikeli e Llapi, të cilët me superlojtarët që i kanë në kontingjent do të mundohen që objektivat e parapara t’i arrijnë me sukses në fushën e futbollit. Kanë bërë përforcime, jo ndoshta të dëshiruara, pasi mini afati kalimtar i janarit nuk mundëson edhe shumë”, thekson Muhamet Dragusha.

Dragusha thotë se KEK-u do ta ketë të vështirë që të mbetet në Superligë, por ekipet tjera prej vendit të tretë e poshtë do të jenë të rrezikuara për një vend në barazh. Po ashtu, ai thekson se sezoni pranveror do të shijohet më shumë, pasi na presin ndeshje interesante.

“Përjashto KEK-un, që do ta ketë vështirë, të gjitha tjerat skuadra nga vendi i tretë, mendoj që mund të rrezikohen për një vend në barazh. Skuadrat janë përforcuar aty ku mendojnë se kanë qenë të dobëta në atë pozitë apo repart, dhe tashmë i kemi gati për sezonin e ri që mendoj se do të jetë shumë interesant dhe do të kemi kënaqësinë t’i shohim këto ndeshje”, përfundon Dragusha.

Muhamet Dragusha, analist sportiv

Edhe analisti sportiv Genc Sermaxhaj pret një kampionat interesant si për kreun e tabelës ashtu edhe për mbijetesë, pasi diferenca në pikë është e vogël.

“Sigurisht se do të shohim një kampionat interesant sepse dallimi mes pikëve është i përafërt dhe do të shohim duele të forta për kreun e tabelës e po ashtu edhe për mbijetesë e barazh. Ekipet janë përforcuar aq sa kanë pas mundësi në këtë afat, dhe presim që këta lojtarë të dëshmojnë cilësitë e tyre”, thotë Sermaxhaj për KALLXCO.com.

Për Gencin, ekipet që do të luftojnë për titullin e kampionit janë Prishtina e Feronikeli, ndërsa ato për mbijetesë apo edhe për barazh janë, Ferizaj, Liria, Ballkani dhe Flamurtari.

“Prishtina dhe Feronikeli do të jenë dy ekipet që do të kenë fjalën kryesore për titullin e kampionit, ndërsa shumë paqartësi do të kemi tek ekipet e renditura poshtë. Ferizaj, Liria, Ballkani dhe Flamurtari janë ekipet që duhet bëjnë përpjekje t’i ikin zonës së rënies e barazhit, por të qeta nuk guxojnë të jenë as ekipet e renditura në mes”, thekson Sermaxhaj, ish-futbollist i disa skuadrave kosovare.

Genc Sermaxhaj, analist sportiv