Grafika: Kallxo.com

'Foto-finishi' në Superligën e Kosovës

Kanë mbetur edhe 5 xhiro deri në përfundimin e Superligës.

Aktualisht Feronikeli e Prishtina, janë me pikë të barabarta (65), ndërsa Llapi dy pikë mbrapa në vendin e tretë.

Në këto 5 xhiro, këto tri ekipe do të përballen ndërmjet vete.

Prishtina në xhiron e 31-të në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë e pret Llapin.

Kurse Llapi pas një xhiro e pret në shtëpi të vet në stadiumin “Zahir Pajaziti”, skuadrën e Feronikelit.

E në xhiron e 33-të, e cila është e fundit, Feronikeli e pret Prishtinën.

Pra, tri xhirot e fundit, në përballjet ndërmjet këtyre tri ekipeve do të jenë thelbësore për ta definuar ekipin i cili do të shpallet kampion për sezonin 2018/2019-të në Superligën e Kosovës.

KALLXO.com, ka pyetur analistë dhe trajnerë të futbollit për ta parë se cila skuadër do të jetë më pretendete që ta fitojnë Superligën.

Genc Sermaxhaj, analist i futbollit dhe ish- futbollist i disa skuadrave kosovare, pret një fund dramatik në Superligën e Kosovës.

Por për një nuancë, ai i sheh favoritë Feronikelin e Prishtinën, pasi janë me dy pikë më shumë se Llapi. Por, sipas tij, kjo gjë nuk i bën kampion, pa i luajtur ndeshjet ndërmjetvete me Llapin.

“Do të jetë një fund dramatik dhe mjaft interesant ku vendoset titulli i këtij edicioni. Ndeshjet direkte ndërmjet tri ekipeve të para do ta nxjerrin edhe fituesin. Natyrisht që më afër këtij qëllimi janë Prishtina e Feronikeli, pasi janë dy pikë para Llapit, por kjo nuk i bën kampion ata pa i parë përballjet ndërmjet tyre”, thotë Genc Sermaxhaj për KALLXO.com.

Sermxhaj thotë se Feronikeli, Prishtina e Llapi, tashmë e kanë arritur formën e tyre të mirë fizike dhe duhet të jenë të motivuara deri në fund.

“Tashmë të tri ekipet kanë arritur formën e tyre më të mirë dhe fizikisht qëndrojnë në nivel. Është fundi i kampionatit dhe duhet të jenë më të koncentruar që mos të gabojnë. Po ashtu duhet të jenë të motivuara, të kenë vetëbesim dhe të mendojnë pozitivisht që do t’ia dalin që të shpallen kampion”, thotë ai.

Për ish-futbollistin Sermaxhajn, Feronikeli e Llapi, po luajnë mirë e lojën e tyre po e konkretizojnë me fitore bindëse, ndërsa sheh vështirësi t Prishtina në rrugën deri te fitorja.

“Te tri ekipet po luajnë mirë, po fitojnë bindshëm ndaj kundërshtarëve të tyre. Vetëm se Prishtina po arrin me vështirësi fitoret dhe atë me rezultate të ngushta e në fund të ndeshejeve dhe përballjet e Prishtinës me dy ekipet tjera pretendente do të jenë shumë të vështira për të, sepse po e kanë të vështirë të shënojnë gola”, thekson Genc Sermaxhaj për Kallxo.com.

 

 

Ndërkaq, analisti i futbollit dhe trajner i disa skuadrave, thotë se ekipi i cili do të lëshon pikë në shtëpi të vet, nuk mund të shpallet kampion.

“Po mendoj që ekipi i cili do të bëjë hap fals në terenin vendas nuk do të mund të jetë e para. Nëse Prishtina si vendase do ta mund Llapin, atëherë mendoj që do të ketë shanse që të jetë e para. Por edhe Feronikeli, ka shanse reali pasi që i ka dy pikë përparsi”, thotë Shosholli për KALLXO.com.

Ai thekson se çështja e titullit mund të vendoset në xhiron e fundit në ndeshjen Feronikeli – Prishtina, por nuk e përjashton edhe Llapin. Për të Feronikeli ka përparësi më të madhe që të shpallet kampion në këtë sezon.

“Lehtë mund të ndodh që të vendosë ndeshja e fundit mes Feronikelit dhe Prishtinës, Derisa Llapi nëse nuk humb në Prishtinë edhe ai ka gjasa reale për titull të kampionit. Mendoj që Feronikeli në bazë të kushteve që ika dhe fondet e lojtarëve, megjithatë ata e kanë një përparsi të vogël ndaj dy ekipeve tjera”, potencon Ajet Shosholli.

Ajet Shosholli