Sermaxhaj: Prishtina, Feronikeli dhe Llapi do të garojnë për titull

Xhiroja e 16- të e Ipko Superligës ka sjellë rezultate befasuese: Ferizaj e ndali Prishtinën, ndërsa derbi ndërmjet Dritës dhe Feronikelit, po ashtu përfundoi pa gola.

E këtë xhiro më së miri e shfrytëzoi Llapi, i cili fitoi ndaj Flamurtarit dhe iu afrua kreut të tabelës në vetëm pesë pikë dhe katër pikë vendit të dytë Feronikelit.

Se kujt i shkoi për shtati kjo xhiro, a është futur përsëri skuadra e Llapit në garë për titull, pas barazimit të Prishtinës dhe Feronikelit, apo lufta për titull do të vendoset mes këtyre dyjave të fundit, KALLXO.com ka kontaktuar analistin sportiv Genc Sermaxhaj.

Sermaxhaj thotë që gabimet e Prishtinës dhe Feronikelit, më së miri i shfrytëzoi në këtë xhiro Llapi, i cili ka hyrë në garë për titull.

“Prishtina dhe Feronikeli u ndalen në udhëtimet e tyre dhe këtë më së miri e shfrytëzoi Llapi që mori tri pikë të plota ndaj Flamurtarit. Llapi me këtë fitore ka hyrë në garë dhe për pjesën pranverore nëse arrin të bëj përforcime adekuate, ka mundësi të afrohet edhe më shumë dhe të rrezikojë Prishtinën e Feronikelin”, thotë Sermaxhaj për Kallxo.com.

Ish-futbollisti i shumë skuadrave kosovare, Genc Sermaxhaj, thotë se nëse Prishtina dhe Feronikeli, vazhdojnë me tempon e njëjtë edhe në vazhdim, atëherë vetëm këto dy ekipe do t’i shohim në garë për titull.

“Por Prishtina dhe Feronikeli kanë krijuar një diferencë nga tjerat dhe nëse vazhdojnë me formën e njëjtë sikur tani, kanë mundësi që vetëm këto dyja t’i shohim në garë për titull”, shprehet Genc Sermaxhaj.

Por, Sermaxhaj thotë se për Dritën, ende nuk ka mbaruar gjithçka, edhe pse kanë mbetur mbrapa.

“Drita ka mbetur pak mbrapa por nuk do të thotë se ka mbaruar gjithçka”, thotë ai.

Ai në fund ka një sugjerim për Dritën e për Llapin.

“Edhe Llapi edhe Drita duhet në pranverë të bëjnë çmos për të grumbulluar sa me shumë pikë dhe gjithashtu të ndjekin garën e kupës për të dalë në Europë”, përfundon Sermaxhaj.

Pas 16  xhirove, Prishtina është lidere e Ipko Superligës me 37 pikë, e ndjekur nga Feronikeli me 36 pikë dhe Llapi me 32.