Analizë: Xhiroja e 32-të nën hijen e ndeshjes Llapi- Feronikeli (FOTO)

Mesjava në Kosovë do të jetë e rezervuar për futbollin kosovar.

Të mërkurën dhe të enjten do të zhvillohet xhiroja e 32-të e IPKO Superligës së Kosovës.

Kjo xhiro mund të definojë shumëçka, si për çështjen e titullit, ashtu edhe për zonën e barazhit, pasi tashmë dy vendet që i dërgojnë direkt në Ligën e Parë janë “siguruar” nga KEK-u dhe Liria, ekipe të cilat janë dorëzuar para kohës.

Ndeshja kryesore e kësaj xhiroje do të jetë ajo ndërmjet Llapit dhe Feronikelit që zhvillohet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë të mërkurën prej orës 16:00.

Llapi me humbjen ndaj Prishtinës në xhiron e kaluar në stadiumin “Fadil Vokrri”, ka ngecur në luftën për titull, pasi nga vendi i parë është pesë pikë mbrapa që e mban Feronikeli.

Kurse Feronikeli është në pozitën e parë me 74 pikë, dy më shumë se Prishtina që është në vend të dytë.

Matematikisht Llapi është ende në lojë për titullin e kampionit, nëse fiton ndeshjen e nesërme ndaj Feronikelit.

Ndërsa, nëse Feronikeli nesër shënon fitore, atëherë në xhiron e fundit ndaj Prishtinës do t’i mjaftonte një barazim që të shpallej kampion.

Në pesë ndeshjet e fundit të dy ekipet e kanë nga një humbje dhe katër fitore.

Dy takimet e fundit brenda këtij sezoni Feronikeli e ka mposhtur Llapin në të dy ndeshjet.

Në Drenas me rezultat 2-0, kurse në Podujevë me rezultat 1-0.

Tjetër ndeshje e rëndësishme për kreun e tabelës zhvillohet edhe nesër ndërmjet Prishtinës dhe Trepçës ’89, në stadiumin “Fadil Vokrri”, prej orës 16:00.

Në këtë ndeshje të dy ekipet kanë synime të ndryshme, Prishtina për titullin e kampionit, ndërsa Trepça ’89 në luftë për mbijetesë.

Prishtina ndodhet në vendin e dytë me 72 pikë, dy pikë më pak se lideri Feronikeli.

Ndërsa mitrovicasit ndodhen në vendin e tetë me 39 pikë, aq pikë sa ka edhe Flamurtari që është në vendin e nëntë, pozitë që e fut në zonën e barazhit.

Prishtinës i duhet fitorja për të mbetur në garë për titull, pasi në xhiron e fundit luan në Drenas, ndaj Feronikelit.

Trepça ’89 duhet të fitojë nëse dëshiron që mos t’i humbas gjasat për të dalë nga zona e barazhit.

Përballjen e fundit ndërmjet këtyre dy ekipeve e kishte fituar Trepça ’89 në kuadër të Kupës së Kosovës.

 

Drenica – Ballkani,  ndeshje e cila do të zhvillohet në Skenderaj,  do të jetë esenciale për të dy ekipet, pasi humbja njërin ekip do ta dërgonte në barazh.

Drenica aktualisht është në vendin e gjashtë me 39 pikë, po aq pikë ka edhe Ballkani në vendin e shtatë.

Ndeshjen e fundit me 16 shkurt të këtij viti, Ballkani e kishte fituar me rezultat 2-0.

Formë të mirë nga pesë ndeshjet e fundit ka Ballkani, ku i ka regjistruar dy fitore, një barazim dhe dy humbje.

Kurse Drenica vetëm dy barazime dhe tri humbje.

Drita e akomoduar në pozitën e katërt me 48 pikë dhe pa ndonjë synim për këtë sezon do ta pres Flamurtarin në Gjilan.

Pra siç e thamë, kampionët aktual të Superligës, nesër do të luajnë pa presion edhe nëse e humbin ndeshjen, barazojnë apo fitojnë.

Ndërsa për Flamurtarin e drejtuar nga Arsim Thaqi, kjo përballje është decizive, pasi gjenden në pozitën e nëntë me 39 pikë, pozitë kjo që njihet ndryshe si zona e barazhit, pasi duhet ta luaj një ndeshje pas përfundimit të kampionatit me njërin prej ekipeve të Ligës së Parë, për ta parë se a do të mbetet në Superligë.

Drita në pesë ndeshjet e fundit i ka marrë tre barazime dhe dy humbje.

Kurse Flamurtari tri fitore, një barazim dhe një humbje.

Përballjen e fundit ndërmjet këtyre dy ekipeve e kishte fituar Drita me rezultat 1-0, në Prishtinë.

Gjilani do ta pres Lirinë e cila tashmë është përshëndetur me Superligën, mirëpo as këta vet nuk i kanë punët mirë, pasi pozicionohen në vendin e 10-të me 35 pikë.

Skuadra e Gjilanit që tetë ndeshje nuk di për fitore dhe në dy xhirot e fundit, duhet t’i fitoj të dy takimet që të ketë mundësi t’i ikë zonës së barazhit.

Gjilani në dy takimet e fundit me Lirinë e ka marrë një barazim dhe një humbje.

Në pesë ndeshjet e fundit, Gjilani i ka të gjitha humbje. Kurse Liria tri humbje, një barazim dhe një fitore.

Kjo ndeshje luhet të enjten prej orës 16:00, në Gjilan.

KEK-u do ta pres Ferizajn e ringjallur nga trajneri Bylbyl Sokoli.

Elektricistët tanimë janë pjesë e Ligës së Parë, pasi janë në vendin e fundit me vetëm një pikë.

Kurse Ferizaj i Bylbyl Sokolit është ringjallur duke u ngritur në vendin e pestë me 40 pikë.

Ferizajt i duhet fitorja që ta sigurojë edhe matematikisht mbetjen në Superligë për sezonin e ri.

Në pesë ndeshjet e fundit KEK-u i ka të gjitha humbje.

Ndërsa Ferizaj i ka të gjitha fitore, si asnjë skuadër tjetër në Superligë.

Dy takimet e fundit ndërmjet këtyre dy ekipeve i ka fituar Ferizaj.

Nëse i shikojmë të gjitha takimet që zhvillohen në këtë sezon, kjo xhiro mund të na sjellë kampionin e ri për sezonin 2018/2019, nëse Feronikeli fiton ndaj Llapit në Podujevë e Prishtina lëshon pikë ndaj Trepçës ’89 në Prishtinë.

Edhe lufta për zonën e barazhit do të qartësohet pas kësaj xhiroje, ku skuadrave si Feronikeli, Prishtina, Llapi e Drita, do të bëhet e ditur se cilat skuadra do t’i bashkohen.

Xhiroja e fundit do të zhvillohet të shtunën ose të dielën, ku edhe përfundimisht do të përcaktohet gjithçka.