Analizë: Sezoni 2018/19 në Superligën e Kosovës përplot befasi

U desh të pritej xhiroja e fundit në Superligën e Kosovës në futboll që të dihej kampioni i ri.

Xhiroja e 33-të përveç që përcaktoi kampionin, po ashtu ka qenë esenciale edhe për përcaktimin e ekipeve të cilat do të mbesnin në zonën e barazhit.

Feronikeli u shpall kampion i Kosovës për sezonin 2018/2019, pas 33 ndeshjeve të zhvilluara me 80 pikë, për të tretën herë në histori të klubit.

Nikli e siguroi titullin e kampionit në xhiron e fundit ndaj rivalit direkt për titull – Prishtinës, të cilën e mposhti dje me rezultat 1-0 në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.

Skuadra e Zekirija Ramadanit arriti që nga 33 ndeshje t’i shënojë 25 fitore, pesë barazime dhe vetëm tri humbje.

Vlen të theksohet se kampioni i ri i Kosovës po ashtu është në finale të Kupës së Kosovës, ku do të luajë këtë të premte ndaj Trepçës ’89.

FFK-ja do t’i ndajë 50 mijë euro shpërblim Feronikelit për titullin e kampionit. Por, fondet më të mëdha për këtë klub vijnë nga UEFA.

UEFA do t’i ndajë 260 mijë euro për ‘industrialistët’ në konton e tyre si kampion i Kosovës. Po ashtu edhe 220 mijë euro të tjera do të derdhen në xhirollogarinë e tyre për pjesëmarrjen në ciklin parakulifikues për Ligën e Kampionëve.

Pra, Nikli do t’i fitojë mbi gjysmë milion euro për kampionin e ri të vendit, derisa kjo shumë mund të rritet nëse arrin suksese të tjera në garat ndërkombëtare.

Në vendin e dytë përfundoi Prishtina e Mirel Josës, me 75 pikë, pesë më pak se Feronikeli.

Kryeqytetasit titullin e humbën në ndeshjen e fundit ndaj Feronikelit, ku u mposhten me rezultat 1-0.

Në rast të fitores Prishtina do të shpallej kampion me 78 pikë, një më shumë se Feronikeli, por Mirel Josa dështoi që ta stoliste ekipin e tij me titull.

Prishtinës nuk po i ecën mirë në ndeshjen e fundit, pasi edhe në sezonin e kaluar e kishte mundësinë që ta fitonte titullin e kampionit, por barazoi në atë ndeshje me rezultat 0-0, ndaj Dritës, e cila u shpall kampion.

Kryeqytetasit e mbyllën sezonin me 75 pikë, nga 33 ndeshje të luajtura i fituan 23, gjashtë barazime dhe katër humbje, duke i shënuar 49 gola dhe i kanë pranuar vetëm 12 gola, gol dallim prej 37 golave plus.

Llapi i drejtuar nga Tahir Batatina, i cili njëkohësisht është drejtor sportiv dhe trajner i klubit, përfundoi në vendin e tretë me 69 pikë.

Te Llapi u krijua një katrahurë e vërtetë gjatë tërë sezonit, pasi u ndërruan tre trajnerë.

Bylbyl Sokolin e shkarkuan në tetor të vitit 2018, pas humbjes ndaj Prishtinës.

Bile Sokoli pas humbjes ndaj Prishtinës në stadiumin “Fadil Vokrri” ishte sulmuar nga disa persona ku mori edhe lëndime trupore.

Pas Bylbyl Sokolit drejtimin e Llapit e mori Bekim Shotani.

As Bekim Shotanit nuk i shkoi gjatë te Llapi, pasi u largua nga kjo skuadër më 19 dhjetor 2018.

Menjëherë pas largimit të Bekim Shotanit, në vend të tij erdhi me bujë të madhe Xhengiz Rexhepi nga Maqedonia.

Rexhepi e kishte marrë Llapin në pozitën e tretë dhe aty e kishte lënë, pasi i mjaftoi një barazim me skuadrën e Ballkanit si vendas dhe u shkarkua nga skuadra.

Rexhepi u shkarkua nga klubi me 20 mars të këtij viti. Në vend të tij u vetemërua Tahir Batatina.

Batatina arriti që për një moment ta fuste Llapin në garë për titull, por dy xhiro para përfundimit humbja ndaj Prishtinës e largoi këtë ekip nga lufta për titull.

Vendi i tretë për Tahir Batatinën me skuadrën e tij Llapin, nga 33 ndeshje, 22 fitore, tri barazime dhe tetë humbje. Djelmoshat nga Podujeva i shënuan 54 gola dhe i pranuan 24 të tillë, pra me 30 gola diferencë plus.

Edhe Drita e cila e nisi me pretendime që ta mbrojë titullin e kampionit, shpejt u dorëzua nga ky synim.

Gjilanasit në këtë sezon u drejtuan nga tre trajnerë. Fillimisht ishte Bekim Isufi i cili dha dorëheqje nga posti i trajnerit me 12 shtator 2018, pas humbjes ndaj Llapit në Gjilan.

Me 17 shtator drejtimin e Dritës e mori Shpëtim Duro, trajneri i mirënjohur nga Shqipëria.

Edhe Shpëtim Duros i erdhi fundi nën drejtimin e Dritës, pasi ai dha dorëheqje menjëherë pas eliminimit nga Kupa e Kosovës nga skuadra e Vëllaznimit.

Trajneri i cili e drejtoi ish-kampionen e Kosovës deri në fund të sezonit është Ardian Nuhiu.

Drita e siguroi pozitën e katërt në tabelë disa xhiro para përfundimit të sezonit dhe pastaj nuk i mori me seriozitet ndeshjet e fundit, duke i humbur pothuajse të gjitha.

Drita siguroi 48 pikë nga 33 ndeshje me 14 fitore, 13 humbje dhe gjashtë barazime.

Goldallimi i Dritës në këtë sezon ishte vetëm 8 gola plus, pasi i shënuan 47 dhe i pranuan 39.

Ferizaj ishte befasia më e këndshme e këtij sezoni, duke përfunduar në pozitën e pestë me 46 pikë, të drejtuar nga Bylbyl Sokoli.

Sokoli e kishte marrë Ferizajn në pozitën e 11-të me vetëm 15 pikë, pozitë kjo që e dërgonte direkt në Ligën e Parë.

Por, me ardhjen e tij Ferizaj e mori të mirën dhe mbeti në Superligë edhe për një vit.

Kurse, Flamurtari, Drenica e Ballkani, e siguruan mbijetesën në Superligë edhe për një vit tek në xhiron e fundit.

Flamurtari e mposhti Llapin me rezultat 3-2 dhe e siguroi vendin e gjashtë me 45 pikë.

Drenicës iu desh fitorja si mysafir ndaj Lirisë me rezultat 3-2, për ta siguruar vendin e shtatë me 43 pikë.

Skuadra e Ballkanit në këtë sezon hyri në Superligë dhe ia doli me mjaft vështirësi të siguronte mbetjen në të.

Ballkani mbeti në Superligë pas fitores me rezultat 2-0 ndaj Dritës në xhiron e fundit dhe përfundoi në pozitën e tetë me 43 pikë.

Skuadrat të cilat do ta kërkojnë mbetjen në Superligë edhe për një sezon janë Trepça ’89 dhe Gjilani.

Trepça ’89 do të luajë me Vëllaznimin i cili u pozicionua në vendin e katërt në Ligën e Parë.

Gjilani do të luajë me Besën e Pejës, skuadër e cila u pozicionua në vendin e tretë në Ligën e Parë.

Skuadrat të cilat ranë në Ligën e Parë janë Liria dhe KEK-u.

Liria arriti t’i grumbullojë vetëm 28 pikë nga 33 xhiro, duke i arritur 8 fitore, katër barazime dhe 21 humbje.

Në vendin e fundit është KEK-u, i cili dëshpëroi plotësisht pas inkuadrimit në Superligë në këtë sezon si kampion nga Liga e Parë.

“Elektricistët” nga 33 ndeshje i pësuan 32 humbje, një barazim dhe asnjë fitore, duke e mbyllur sezonin me vetëm 1 pikë, që është rekord për të keq për këtë skuadër.