Analistët flasin për gjasat e Kosovës ndaj Gjeorgjisë

Kombëtarja e Kosovës në futboll do t’i vazhdojë garat kualifikuese për Kampionatin Botëror “Katari 2022” me ndeshjen ndaj Gjeorgjisë.

Kosova sot ka udhëtuar në drejtim të Gjeorgjisë për ndeshjen e nesërme që e luan nga ora 18:00 në stadiumin “Batumi Stadium”.

Kombëtarja e drejtuar nga Bernard Challandes i ka nisur keq kualifikimet duke i humbur dy ndeshjet e para, ndaj Suedisë në Prishtinë me rezultat 0-3, dhe ndaj Spanjës me rezultat 3-1, në Sevilla.

Challandes në konferencë për media deklaroi që lojtarët e tij duhet ta ndërrojnë mentalitetin prej ndeshjes ndaj Gjeorgjisë.

“Për mua, është koha që të rindërtojmë një ekip të fortë. Nuk kemi qenë në Evropian, por duhet të marrim mësime nga ky turne. Ka ardhur koha të krijojmë një skuadër që ka vlera sikurse më herët. Është koha që të kemi një mentalitet të fortë dhe të duhur për Kosovën”, kishte deklaruar Challandes.

Norwich City e ka konfirmuar se Milot Rashica do t’i mungojë kombëtares së Kosovës në ndeshjen eliminatore për Botërorin “Katari 2022”, që e luan më 2 shtator në udhëtim kundër Gjeorgjisë, për faktin se Gjeorgjia është në listën e kuqe të Britanisë së Madhe si shtet me rrezik të lartë shkaku i COVID-19.

Analistët dhe trajnerët e futbollit, Arbnor Morina dhe Genc Sermaxhaj, kanë treguar për KALLXO.com se si duhet të luajë Kosova ndaj Gjeorgjisë dhe cilat janë gjasat e “Dardanëve” për këtë ndeshje.

Arbnor Morina, analist dhe trajner i futbollit, thotë se ndryshimi i mentalitetit duhet të nisë nga trajneri Challandes e të transmetohet përmes tij te futbollistët.

“Ndryshimi i mentalitetit nuk vjen vetvetiu. Ndryshimi i mentalitetit fillon prej trajnerit e aty e bartin lojtarët me kërkesat e veta me dëshirat e tyre, me vizionin e vet për lojën edhe mandaj lojtarët atë mentalitet duhet me e zbatu në stërvitje së pari e mandej në lojë. Mentaliteti fitues krijohet me ndeshje kur ju luani edhe fitoni apo minimumi kur luani mirë edhe i tregoni kundërshtarit që ju jeni të barabartë më të”,  potencon Arbnor Morina për KALLXO.com.

Morina pret një ndeshje të vështirë ndaj Gjeorgjisë, mirëpo sipas tij, Kosova ka kualitet të marrë rezultat pozitiv në ndeshjen e nesërme.

“Nuk do të jetë lojë e lehtë edhe pse besoj shumë në futbollistët tanë. I kemi tri lojë brenda 5-6 dite, kështu që kanë me qenë lojëra shumë të vështira. Kemi gjasa për me e arritë një rezultat të mirë, por duhet me qenë shumë syhapur. Gjëja tjetër më rëndësi është që Rashica nuk mundet me lujtë për shkak të situatës me COVID-19. Djemtë tanë kanë kualitet që me e arritë një rezultat pozitiv”, shprehet Morina.

Ish-trajneri i disa skuadrave kosovare ka një këshillë për trajnerin Challandes se si duhet të luajë.

“Deri tasht e kemi pa që ka qenë sistemi i lojës 4-2-3-1, në 99.99 për qind të rasteve, mirëpo sistemi i lojës mundet me u ndryshu në bazë të kualitetit të lojtarëve që e kemi brenda edhe në bazë të kundërshtarit që kemi me lujtë. Neve na mbetet me e pa në fushë se qysh po vendosen, pasi më së miri i dinë trajneri karakteristikat e tyre, por duhet me e njoftë kundërshtarin shumë mirë  që me mujtë me iu kundërpërgjigj me një formacion i cili do të jetë fitues”, ka thënë ai.

Ai thotë se lojtarët e Kosovës nuk duhet të kenë frikë në ndeshjen e nesërme ndaj Gjeorgjisë, duke bërë lojë të mirë me presion të lartë.

“Nuk duhet me pasur frikë prej kundërshtarit, duhet me e lujtë një lojë mjaftë të mirë, një lojë të fortë, me mbulime strikte brenda pjesëve të caktuara të fushës edhe me e mbajtë kundërshtarin sa më larg 16-shit tonë, që ne me i bë presion në pjesë-fushën e tyre edhe në këtë mënyrë me e fitu lojën”, shton Arbnor Morina.

Analisti i futbollit, Genc Sermaxhaj, thotë se ndryshimi i mentalitetit është i domosdoshëm te Kosova. Ai thotë se lojtarët e Kosovës duhet t’i respektojnë vendimet e trajnerit Challandes.

“Patjetër që duhet të ndryshohet mentaliteti. Të bëhemi më të arsyeshëm e më profesionistë. Trajneri vendos dhe për të gjitha përgjegjësia është e tij. Kush jemi ne të tjerët të bëjmë presion pa arsye vetëm se na mundëson facebook të bëjmë një koment dhe të bëhet bujë. Kombëtarja nuk është fontanë dëshirash. Po nuk të ftuan vazhdo puno deri sa të jepet një mundësi tjetër. Futbollistet duhet të jenë të edukuar dhe profesionistë, dhe të japin më të mirën në çdo kohë”, ka thënë Genc Sermaxhaj për KALLXO.com.

Sermaxhaj thotë se Kosova duhet ta bëjë maksimumin ndaj Gjeorgjisë dhe mund të marrin rezultat pozitiv në ndeshjen e nesërme.

“Kosova duhet të bëjë maksimumin ndaj Gjeorgjisë. Ka mundësi dhe besoj se ka gjasa të marrë rezultat pozitiv. Disa lojtarë i kemi në formë të mirë dhe shpresoj të japin çdo gjë nga vetja për Kosovën”, thotë trajneri i Dritës U19.

Genc Sermaxhaj insiston se Kosova nuk duhet të varet vetëm nga një futbollist, siç është rasti i mungesës së Rashicës për ndeshjen e nesërme.

“Kombëtarja e jonë nuk duhet të varet në një futbollist. Duhet te vazhdojë siç kanë vepruar deri tani si grup dhe si të tillë duhet vazhdojmë për duke kërkuar rezultatet e mira. Prandaj mungesa e Rashices nuk duhet të merret edhe si e madhe”, potencon ai.

Kombëtarja e Kosovës do t’i luajë edhe dy ndeshje, me Greqinë më 5 shtator dhe me Spanjën më 8 shtator, të dy ndeshjet luhen në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.