Trajneri Ardian Nuhiu dhe kapiteni Ardian Limani/ Foto/ Drita: Facebook

Liga e Europës, trajneri dhe kapiteni i Dritës optimistë para ndeshjes me Sileksin

Skuadra e Dritës të enjten do të luajë me skuadrën e Sileksit nga Maqedonia e Veriut, në kuadër të rrethit të dytë kualifikues në Ligën e Europës.

Drita ka dalë negativ në testet për COVID-19, dhe janë të gatshëm për ndeshjen e nesërme e cila do të luhet në stadiumin “Todor Proeski”, në Shkup.

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu në një bisedë për KALLXO.com, ka thënë se futbollistët e tij janë të gatshëm dhe e kanë kaluar ankthin e COVID-19.

“Faza ka kaluar shumë mirë, futbollistët mendoj se janë të gatshëm. Në stërvitjen e fundit ta kuptojmë gjendjen e Kastritot dhe Alidemës. Dje kaloi edhe ankthi i COVID-19. Kemi një kundërshtar i cilin vitin e kaluar ka luajtur futboll të mirë. Gjithashtu edhe këtë vit kanë start shumë të mirë”, ka thënë fillimisht trajneri i Dritës për KALLXO.com.

Nuhiu i ka thurur elozhe trajnerit të Sileksit, Goran Simov, duke thënë se e ka ndryshuar stilin e lojës së ekipit maqedon.

“Me trajnerin e Sileksit kemi qenë bashkëlojtarë dhe jemi miq, me ardhjen e tij Sileksi ka ndryshuar stilin e lojës dhe po luan futboll të bukur. Kundërshtari i ynë është në ritëm të ndeshjeve, por kanë edhe eksperiencën si ekip në garat europiane”, potencon Nuhiu.

Trajneri shkupjan ka thënë se e ka analizuar kundërshtarin në detajet më të vogla dhe shpreh optimizëm para ndeshjes së nesërme.

“Kemi analizuar kundërshtarin në detajet më të vogla, ata veprojnë si grup, por kemi edhe ne qëllimet tona, kemi futbollist cilësor dhe kualitativ për të bërë një ndeshje të mirë dhe të bëjmë maksimumin. Është ndeshje me një takim, duhet pasur kujdes, do të jetë përballje e fortë dhe ekipi i cili do të gaboj më pak do të ecë tutje”, thotë me optimizëm trajneri i gjilanasve.

Kapiteni i Dritës, Ardian Limani thotë se janë të përqëndruar maksimalisht për këtë ndeshje që ta shkruajnë historinë.

“Për fat të mirë kësaj radhe jemi të fokusuar 100 % në ndeshje pasi kemi rezultuar të gjithë negativ dhe nuk mendojmë për asgjë tjetër. Jemi shumë të gatshëm dhe të motivuar që ta shkruajmë historinë”, ka deklaruar kapiteni i gjilanasve për KALLXO.com.

Limani thotë se skuadra e tij ka shanse të mira që të kaloj në rrethin tjetër dhe e kanë analizuar skuadrën kundërshtare mjaftë mirë.

“Skuadra është në formë shumë të mirë dhe është e rëndësishme që të gjithë kanë dhënë maksimumin dhe po e presim me padurim ndeshjen. Ndeshja do të jetë e vështirë, por ne kemi bërë përgatitjet tona fizike, taktike si dhe kemi bërë video analiza për kundërshtarin duke na ndihmuar shumë që ta përgatisim ndeshjen për nesër. Shanset janë të mira për të kaluar tutje”, thotë i motivuar kapiteni i kampiones së Kosovës.

Fituesi i kësaj ndeshje do të përballet me Legian e Varshavës në Poloni.