Analizë: Çfarë loje duhet të luajë Kosova për ta mposhtur Maqedoninë e Veriut?

Të enjten nga ora 20:45 Kosova e luan ndeshjen më të rëndësishme në histori të saj, atë me Maqedoninë e Veriut, në stadiumin “Tose Proeski”, në Shkup.

Ëndrra për të luajtur në Kampionatin Europian “Euro 2020”, i cili mbahet më 2021, realizohet nëse mposhtet Maqedonia e Veriut.

“Dardanët” fillimisht duhet ta kalojnë pengesën e quajtur Maqedoni e Veriut, pastaj i pret fituesi i ndeshjes Gjeorgji – Bjellorusi, për t’u kualifikuar në fazën e grupeve në “Euro 2020”.

Kosova në këtë ndeshje nuk mund të llogarisë në lojtarët kryesorë si sulmuesit Vedat Muriqi dhe Milot Rashica, kapiteni Amir Rrahmani dhe mesfushorët Idriz Voca dhe Hekuran Kryeziu.

Trajnerët e futbollit, Ajet Shosholli dhe Gani Sejdiu, tregojnë për KALLXO.com se cilat janë gjasat e Kosovës ndaj Maqedonisë së Veriut dhe si duhet të luajnë, a do të ndikojnë emocionet te lojtarët për ndeshjen e nesërme.

Ajet Shosholli, trajner i parë i Kombëtares së Kosovës prej vitit 1991 deri në vitin 1996, thotë se janë evidente mungesat për ndeshjen e nesërme, por shpreson që zëvendësuesit ta japin maksimumin.

“Është e vërtetë që kemi shumë telashe me mungesën e disa futbollistëve kyç, por shpresoj që edhe zëvendësimet të jenë adekuate dhe ta japin maksimumin e tyre që ta marrin një rezultat pozitiv në këtë ndeshje, në mënyrë që të jemi pjesë e finales së madhe ndaj fituesit të ndeshjes Gjeorgji – Bjellorusi”, ka thënë fillimisht Ajet Shosholli për KALLXO.com.

Shosholli potencon se mungesa e Eljif Elmasit dhe mosprezenca e tifozëve në stadiumin “Tose Proeski” janë avantazh për djelmoshat e udhëhequr nga Bernard Challandes.

“Kundërshtari i ynë ka telashe me mungesën e Eljif Elmasit, për shkak të coronavirusit edhe besoj që do ta shfrytëzojmë mungesën e tij. Mungesa e publikut mund të shkojë në favorin tonë, pasi që futbollistët tanë janë më pak të ngarkuar psiqikisht”, ka shtuar Shosholli.

Ajet Shosholli thotë se Kosova duhet të jetë më e kujdesshme në këtë ndeshje, por duke e mos e ndërruar konceptin e lojës që jemi mësuar ta shohim deri tani.

“Kosova nuk duhet ta ndryshojë konceptin e lojës me të cilën i kemi arritur këto rezultate të deritanishme. Kosova duhet të luajë më e tërhequr, pasi loja sulmuese ka qenë karakteristikë e jona, sepse tek e fundit vetëm fitorja na dërgon në finalen e madhe. Natyrisht, me kujdes të shtuar edhe në fazën e mbrojtjes”, ka thënë për fund Ajet Shosholli.

Trajneri Gani Sejdiu thotë se mungesat e Kosovës mund të zëvendësohen nga lojtarët tjerë dhe nuk duhet tani të merren me këtë pjesë, por të përqendrohen për lojë.

“Është ndeshje e veçantë e një rëndësie të madhe, epilogu i së cilët ka peshë, sepse vendos shumë. Mungesat janë hendikep, por jo që nuk mund të zëvendësohen, prandaj nuk duhet të merremi me to në këto momente, por të përqendrohemi”, thotë fillimisht trajneri i njohur kosovar Gani Sejdiu për KALLXO.com.

Sejdiu thotë se detajet e vogla do ta vendosin këtë ndeshje.

“Do të jetë një lojë me plot emocione për të dy ekipet, dhe ai ekip që i menaxhon më mirë emocionet ai do të ketë përparësi, por duhet përqëndrim i lartë për të bërë sa më pak gabime, sepse detajet do të vendosin takimin”, vlerëson Sejdiu.

Trajneri mitrovicas thotë se Maqedonia e Veriut në këtë ndeshje do të ketë më shumë presion gjë të cilën duhet ta shfrytëzojë Kosova.

“Maqedonia do të ketë më shumë presion dhe ne duhet ta shfrytëzojmë këtë me një lojtë të mençur  dhe ne duhet ta shfrytëzojmë këtë me një lojë të mençur dhe të kujdesshme, të disiplinuar taktikisht. Gjasat janë të barabarta dhe ne duhet të besojmë shumë”, potencon ish-trajneri i shumë skuadrave kosovare.

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, në konferencë për media para ndeshjes ndaj Maqedonisë së Veriut, është shprehur optimist për ndeshjen e nesërme dhe pret fitore nga lojëtarët e tij.

Tash ëndrrën mund ta prekim, por nuk jemi në situatën më të mirë, por ne do t’i përballojmë me forcë këto situata për t’i kthyer në favorin tonë. Unë jam optimist dhe jemi gati për të arritur ta realizojmë ëndrrën. Koha po kalon, ndeshja është afër, pra do të luhet nesër dhe ne jemi gati”, ka thënë Challandes në konferencën për media.

Ndërkaq, trajneri i Maqedonisë së Veriut, Igor Angelovski, ka deklaruar se ndjejnë presion të madh para ndeshjes së nesërme ndaj Kosovës.

“Ne normalisht se e ndjejmë presionin, pasi pas 30 vjetëve do të luajmë në barazh. Jam e sigurt se nuk do të jetë hera e fundit dhe shpresoj të jetë e suksesshme. Të dy përfaqësueset janë të pakompletuara. Ne kemi mbetur pa Eljif Elmasin dhe Kosova pa lojtarë kyç. Por, ndeshja luhet 11 kundër 11, kështu që cilado skuadër që ka dëshirë më të madhe për të fituar do të fitojë. Ne kemi respekt maksimal për kundërshtarin, por kur të fillojë ndeshja do të mendojmë vetëm për fitore”, ka deklaruar Angelovski në konferencë për media.