Abelard Tahiri. Foto: Atdhe Mulla

Ministri i Drejtësisë flet për dorëheqjen e Prokurorit dhe hetimet për listat e veteranëve

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se dorëheqja e prokurorit të Prokurorisë Speciale Elez Blakaj ka hapur përsëri debatin mbi veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Përtej diskursit politik që fatkeqësisht përdoret shumë për të gjeneruar diskutime të pa arsyeshme, ka vetëm dy pozicione themelore që janë korrekte në të gjitha kuptimet. Së pari, shoqëria jonë është falënderuese për secilin veteran, që në kohët më të vështira të historisë së popullit tonë ishin në krye të detyrës për mbrojtjen dhe çlirimin e Kosovës. Mijëra nga ta kanë lënë gjymtyrët në vijat e frontit dhe kjo meriton njohje, respekt dhe dinjitet të pa çmim. Së dyti, shoqëria jonë është përcaktuar për të qenë shoqëri korrekte dhe e drejtë, përmes aspiratës për një shtet ligjor, si shëmbëlltyrë se si ndërtohet një shoqëri bashkëkohore dhe demokratike”, ka shkruar Tahiri në facebook.

Tahiri poashtu ka thënë se hetimi për keqpërdorimin e listave të numrit të veteranëve duhet parët vetëm prej perspektivës ligjore.

“Nëse ka pasur keqpërdorime, keqpërdoruesit duhet të identifikohen dhe të marrin dënimin e përcaktuar me ligj. Procesi si i tillë, nuk e zhbën meritën e askujt, përveçse materializon aspiratën tonë shoqërore e shtetërore për një Republikë të denjë në të cilën, çdo kujt i njihet ajo çka i takon dhe çdo kush e merr dënimin për abuzimin e meritës”, ka shkruar Tahiri në statusin e tij.

Ministri Tahiri ka shtuar se do të jap mbështetje të fuqishme institucioneve të pavarura në hetimin e kësaj çështje deri në fund, në mënyrë që të rikthehet dinjiteti i plotë i veteranëve që i ka vulosur historia, para se t’i vulosë lista e kujtdo.