Mbulohet me dhe 'gropa' e destinuar për Sallën e Operës dhe Baletit

‘Gropa’ e cila ishte hapur pranë Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike për ndërtimin e Sallës së Operës dhe Baletit “Ibrahim Rugova”, pas gati 10 vjet sa kishte qëndruar e hapur, tashmë është duke u mbuluar me dhe nga Komuna e Prishtinës.

Zëdhënësi për informim në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri ka thënë për KALLXO.com se kjo pjesë është mbuluar për shkak të rrezikut që paraqet.

“Është duke u mbuluar për shkak të rrezikut që paraqet, edhe për thellësinë që ka, e mundësinë e rrëzimit/lëndimit, edhe për infeksionet e mundshme. Kësisoj, kemi vendosur që ta shmangim rrezikun”, ka theksuar Tahiri.

Nga vitit 2009 e deri më sot, projekti për ndërtimi i Sallës së Operës dhe Baletit “Ibrahim Rugova” ka kaluar në duart e tashmë tetë ministrave por ka mbetur i papërfunduar për shkaqe teknike, infrastrukturore dhe financiare.

Në vend të performancave të tenorëve e kompozitorëve, në lokacionin ku ishte paraparë ndërtimi i Sallës së Operës dhe Baletit janë dëgjuar “kuak-et” e bretkosave.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) para pak ditësh ka deklaruar se nuk ka hequr dorë nga ndërtimi i  Sallës së Operës dhe Baletit “Ibrahim Rugova”, e as nga vendi ku është paraparë ndërtimi i këtij objekti, në hapësirën afër Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike.

Zyrtarë të MKRS-së kanë bërë të ditur për KALLXO.com se ministria është duke punuar dhe deri në fund të këtij viti do të ketë gati projektin ideor i cili do të hartohet sipas kërkesave dhe nevojave të komunitetit artistik në vend.

Ndërsa synohet që në fillim të 2019 të vihet edhe gurthemeli i objektit që tashmë do të ketë një plan të ri.

Edhe pse në MKRS kanë thënë që nuk kanë hequr dorë nga ndërtimi i Sallës së Operës dhe Baletit “Ibrahim Rugova”, nga ana tjetër Komuna e Prishtinës ka deklaruar se është pritur gjatë që të fillohen punimet por kjo nuk kanë ndodhur kështu që kanë vazhduar me mbulimin e asaj pjese.

“Kemi pritur gjatë që të vazhdohet me punime në atë pjesë, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur”, ka deklaruar Adonis Tahiri, zëdhënësi për informim në Komunën e Prishtinës.