Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministri Murati, thotë se Spitali i Podujevës do të bëhet - ama jo me buxhet por me kredi të buta

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka shkruar në profilin e tij në rrjetin social Facebook, se Spitali i Podujevës do të bëhet. Por e ka pranuar gjithsesi, ashtu sikur edhe ka shkruar sot KALLXO.com, se në buxhetin e planifikuar për vitin 2022, Qeveria nuk kanë ndarë mjete për të. Ama, thotë se spitali do bëhet me “politika të reja që janë përfshirë në buxhet”, duke nënvizuar se premtimi për spitalin do ta përmbushin “me kredi të buta”.

Ndryshe nga fjalët e Muratit, KALLXO.com bazuar në planifikimin buxhetor të Qeverisë së Kosovës, sot ka raportuar se në buxhetin e vitit 2022, asnjë metelik nuk figuron të jetë ndarë për ndërtimin e këtij spitali.

Porse, Murati ka shkruar se ka projekte që financohen nga të hyrat buxhetore, dhe ka projekte që financohen nga kreditë e buta.

“Sa i përket buxhetimit, në mbledhjen e Qeverisë në të cilën u miratua buxheti, të premten e kaluar, gjatë prezantimit, e theksova që përveç shumë politikave të reja që janë përfshirë në këtë buxhet, janë edhe disa risi tjera për sa i përket menaxhimit të financave publike”, ka shkruar Murati.

“Spitalet dhe kryesisht projektet në shëndetësi, janë investime që institucionet financiare ndërkombëtare i financojnë me shumë dëshirë, e kështu do të financohet edhe ndërtimi i spitalit të Podujevës”, ka theksuar Murati.

Ai ka shtuar se “në rastin e spitalit të Podujevës sapo të negociohet projekti më njërin nga institucionet financiare ndërkombëtare (Banka Botërore, EIB, BERZH, CEB, etj), shuma e nevojshme për ndërtimin e tij do të merret nga programi për financimin e projekteve potenciale, dhe i transferohet organizatës buxhetore implementuese.

Në mbyllje të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Podujevë, kryeministri Albin Kurti kishte premtuar se me të si kryeministër dhe me Shpejtim Bulliqin si kryetar, Podujeva do të bëhet me spital në vitin 2022.

“Ndërtimi i spitalit në Podujevë, me mua kryeministër dhe me Shpejtim Bulliqin kryetar, Podujeva e fiton spitalin e saj, përfundimin e magjistrales, Prishtinë-Podujevë brenda vitit të ardhshëm”, kishte deklaruar Kurti.

Por derisa qytetarët e Podujevës janë në pritje të rundit të dytë të zgjedhjeve lokale, ku do të përballen Ekrem Hyseni i LDK-së dhe Shpejtim Bulliqi i LVV-së, Qeveria e Kosovës ka miratuar buxhetin për vitin 2022 dhe në të nuk ka ndarë asnjë cent për spitalin e premtuar të Podujevës.

Përkundër premtimeve, Qeveria Kurti nuk ndanë asnjë cent për Spitalin e Podujevës