Linku për konsultimin publik për ndikimin mjedisor të TC 'Kosova e Re' nuk hapet

I përditësuar

Konsultimi publik lidhur me ndikimin mjedisor  të termocentralit ‘Kosova e Re’ , nuk po del të jetë i hapur siç e ka proklamuar qeveria.

Zyra për Qeverisje të Mirë ka dërguar me anë të email-it një link ku thuhet se është hapur koha e konsultave për ndikimet në mjedis të termocentralit “Kosova e Re”.

KALLXO.com ka kërkuar konsultën në faqen online të Qeverisë së Kosovës, por realisht nuk ka asnjë konsultë të hapur në lidhje me termocentralin “Kosova e Re”.

Linku i dërguar në email thotë se është adresë e gabuar.

Në e-mail po ashtu thuhet se kjo konsultë është hapur në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe.

“Te nderuar abonentë. Ju njoftojmë se është hapur konsulta {raport i vlerësimit të ndikimit në mjedis për termocentralin “Kosova e Re” me kapacitet 1 x 500 më në pajtim me teknikat më të mira të mundshme}”, thuhet aty.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga zyrtarë të qeverisë lidhur me arsyen e mosfunksionimit të linqeve, mirëpo nuk ka pranuar përgjigje deri në momentin e publikimit të artikullit.

Kompania “Contour Global” dhe Qeveria e Kosovës në muajin maj kanë njoftuar se konsorciumi i kompanive të ‘General Electric (GE)’ është përzgjedhur si ofertuesi i preferuar në tenderin për inxhinieringun, prokurimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen afatgjate, për projektin e Termocentralit “Kosova e Re”.

Në një komunikate për media, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, thotë se ashtu siç është njoftuar në shtator 2018, katër kompani të parakualifikuara u ftuan të paraqesin propozimet e tyre teknike dhe financiare.

Projekti për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, është kritikuar ashpër nga shoqëria civile, analistë dhe ambientalistë vendor.

Për këtë çështje, edhe në Kuvendin e Kosovës, javë më parë, ishte zhvilluar një debat i ashpër mes pozitës dhe opozitës.

Të gjitha raportimet në KALLXO.com, për Termocentralin “Kosova e Re”, i gjeni në këtë LINK.

 

Pas pyetjeve të KALLXO.com drejtuar Zyrës për Qeverisje të Mirë, Ministrisë së Mjedisit dhe zyrtarëve të tjerë të qeverisë, linku për konsultimin publik është rregulluar.