Konjufca: ‘Kosova e Re’, projekti më i kriminalizuar i pasluftës në Kosovë

Shefi i Grupit Parlamentar të  Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se projekti i Termocentralit “Kosova e Re” do të hyjë në historinë e kontratave të Kosovës së pasluftës, si projekti ekonomik më i kriminalizuar që është nënshkruar ndonjëherë në Kosovë.

“Për nga konsekuencat penale që do të rrjedhin prej kësaj kontrate, zotëri ministër, ia kalon shumë herë dëmit të kontratës së qeverisë Thaçi me Becktel-in atëherë. Sepse edhe kushtet e nënshkrimit të kontratës dhe pasojat afatgjate të saj në shoqërinë tonë nuk kanë me qenë me një moment të përfunduar si kanë përfunduar me autostradën për Shqipëri”, tha ai.

Sipas Konjufcës, në 20 vitet e ardhshme nëse llogaritet krejt kostoja e projektit më së paku do të ketë kosto prej 5 miliardë euro drejtpërdrejt prej xhepit të qytetarëve.

“Nëse llogaritet çka do të mbulojë shpenzime Kosova, plus shtoja kësaj rritjen progresive të çmimit të energjisë elektrike në fund në vitin 2043 qytetarët e Kosovës ka me iu dalë kostoja 5 deri në 6 miliardë euro më së paku të paguara prej tyre”, theksoi deputeti.

Gjithashtu, Konjufca iu drejtua ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin llukës, duke i thënë se me këtë kontratë dikush mund të hyjë në burg.

“Dy shkelje janë të mëdha, edhe ministër mos ma merr si për kërcënim këtë që po ta them. Merre si këshillë edhe si sugjerim. Po është rrezik me këtë kontratë dikush me përfundu në burg. Përnime e kom. Kështu që kujdes edhe pyeti ata dy ministra tu para teje, pse nuk e kanë nënshkruar këtë kontratë. Veç takohu me ta, me sinqeritet edhe pyeti pash besën pse nuk e keni pas guximin me qit nënshkrimin e juaj në këtë kontratë”, tha ai.

“Unë veç e kam për ty se do ministra shumë më të fortë se ti nuk kanë pas guxim me qit nënshkrimin, e unë po tutna mos je  viktimë e mundesh më përfundu shumë keq”, vazhdoi deputeti, duke thënë se me ‘Kosovën e Re’ është shkelur Ligji për Prokurimin Publik.

Në seancën e sotme të Kuvendit, po mbahet interpelanca e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në lidhje me themelimin e Ndërmarrjes së Re Energjetike të Kosovës Sh. A./NKEC.