BQK revokon licencën e kompanisë së sigurimeve, ‘Kosova e re’, fillon procedurat e likuidimit

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti përmes një konference për media, ka njoftuar se bordi ekzekutiv ka vendosur të revokojë licencën e kompanisë së sigurimeve, “Kosova e re”.

Mehmeti ka thënë se kjo ka ndodhur si shkak i mos përmbushjes se kushteve ligjore dhe gjendjes financiare të kompanisë së sigurimeve, “Kosova e re”.

“Bazuar në kompetencat e BQK-së në takimin e mbajtur sot, bordi ka marrë vendim që siguruesit, ‘Kosova e re’ t’i revokohet licenca e datës 25 shkurt 2002. Siguruesi, ‘Kosova e re’ ka pasur problem me gjendjen financiare. ‘Kosova e re’ nuk ka arritur të përmbush kushtet ligjore dhe nuk ka pasur gjendje të mirë. Aksionarët nuk iu kanë përgjigjur kërkesës së BQK-së për rritjen e kapitalit në pajtueshmëri me kushtet ligjore. Kështu janë hapur procedurat e likuidimit të detyrueshëm”, tha Mehmeti.

Ai ritheksoi se aksionarët e “Kosova e re” nuk i kanë marrë seriozisht kërkesat e BQK-së.

“Nuk është vendim i lehtë. Kemi bërë përpjekje të vazhdueshme, kemi shqiptuar gjoba në fillim. Pas një periudhe të gjatë të administrimit, kemi pasur mirëkuptim e kemi vazhduar administrimin me kusht që të ketë shenja që aksionari e ka seriozisht, mirëpo nuk e kemi pa asnjë veprim konkret që do ta shpëtonte”, shtoi ai.