Arkiv - Xhabir Zharku

Xhabir Zharku paralajmëron grevë urie

 

Ish kryetari i  Kaçanikut, Xhabir Zharku ka paralajmëruar se do të hyjë në grevë urie në qendrën e paraburgimit në Prishtinë, ku është duke u mbajtur për dyshimin se ka kryer dy vepra penale të shpërdorimit të detyrës sa ishte kryetar i Kaçanikut.

Familjarët e Zharkut kanë deklaruar se janë të shqetësuar për shëndetin e tij, pasi sipas tyre, në qendrën e paraburgimit në Prishtinë kushtet janë të këqija si dhe i njëjti vuan nga diabeti.

Kujtojmë se edhe në muajin prill Zharku i ishte ankuar familjes për kushtet në qendrën e Paraburgimit të Prishtinës.

“Ne si familjarë kërkojmë nga institucionet shtetërore marrjen e masave adekuate konform ligjeve në fuqi për ruajtjen jetës dhe shëndetit të familjarit ton, ose në të kundërtën përgjegjësia do të mbetet në personat dhe institucionet kompetente”, kanë deklaruar familjarët e Zharkut.

“Ne si familjarë të z. Xhabir Zharku, jemi shumë të shqetësuar për shëndetin e bashkëshortit, babit ton, pasi ai është detyruar të futet në grevë urie si rezultat kushteve tejet të këqija në qendrën e paraburgimit në Prishtinë. Xhabiri vuan nga problemet sheqerin si dhe ka ankesa për dhembje të gjymtyrëve trupi si rezultat i vuajtjeve nga lufta. Ne si familjarë kërkojmë nga institucionet shtetërore marrjen e masave adekuate konform ligjeve në fuqi për ruajtjen jetës dhe shëndetit të familjarit ton, ose në të kundërtën përgjegjësia do të mbetet në personat dhe institucionet kompetente. Vlen të përmendet fakti se ky keqtrajtim që po i bohet Xhabirit është vazhdimësi e mbajtës padrejtësisht në paraburgim të tij, e cila është duke u bërë nga struktura të sigurisë që janë të ndikuara në mënyrë të drejtpërdrejt nga shërbimet sekrete Ruso-Serbe”, thuhet në reagimin e Valbona dhe Mërgim Zharkut.

Ndërsa avokatja Albana Kelmendi, mbrojtëse e të paraburgosurit Zharku  ka shkruar se klienti i saj tani më ka hyrë në grevë urie.

“Ju njoftoj se sot jam informuar nga klienti im z.Xhabir Zharku, i cili gjendet në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, në masën e paraburgimit ka filluar grevën e urisë për shkak të kushteve të këqija të paraburgimit. Klienti im ka pasur shumë ankesa rreth ushqimit të paraburgosurve si dhe përkujdesjen shëndetësore edhe më herët dhe lidhur me cilësinë dhe servimin e ushqimit si dhe përkujdesjen shëndetësorë të tij, ju ka drejtuar personave kompetent të cilët kanë autorizime ligjore për ekzekutimin dhe aplikimin e masës së paraburgimit. Mirëpo, deri më tani këto ankesa nuk janë adresuar dhe nuk janë marrë masa adekuate në drejtim të përmirësimit të kushteve të cilat janë përcaktuar edhe me ligjet në fuqi për mbrojtjen e shëndetit dhe cilësinë dhe servimin e ushqimin për të paraburgosurit”, ka thënë avokatja Kelmendi.

Ndërsa drejtori i qendrës së Paraburgimit të Prishtinës, Isuf Ibërdemaj, për KALLXO.com deklaroi se është njoftuar me rastin e Zharkut dhe se i njëjti ka paralajmëruar se do të hyjë në grevë.

“Para një ore u njoftova se Zharku ka paralajmëruar grevë urie. Ai është ankuar goxha shpesh lidhur me ushqimin, edhe pse atij i porositet ushqim dietal bukë e zezë. Nga operatorët që e sjellin bukën kemi pasur vërejtje edhe në peshë edhe në cilësi”, ka shtuar Ibërdemaj.

Tutje Ibërdemaj për KALLXO.com shpjegoi se kur dikush prej të paraburgosurve paralajmëron grevë urie, i ka në dispozicion 24 orë me reflektu dhe për me t`iu plotësu kërkesat.

“24 orë pas paralajmërimit të grevës hapet procedura e protokollit për të hyrë në greve urie”, tha Ibërdemaj.

“Nuk mund të them se a janë të bazuara a të pabazuara ankesat e Zharkut, se edhe vet kam kërkesa rigoroze nga furnizuesit e ushqimit, sepse shpeshherë është buka dhe ushqimi pretekst për të hyrë grevë urie”, tha ai.

“I njëjti ushqim 100% që ushqehen të paraburgosurit, ushqehen edhe stafi dhe menaxhmenti komplet nuk ka asnjë dallim”, ka thënë ai.

I pyetur nga KALLXO.com se a ndodh shpesh që të paraburgosurit e kësaj qendre të hyjnë në grevë urie për shkak të cilësisë së ushqimit, Ibërdemaj deklaroi se: “Kohëve të fundit kemi pasur raste, gjatë kohës të pandemisë edhe e kanë paralajmëru grevën edhe e kanë fillu, por jo për kushtet e qendrës dhe cilësisë së ushqimit por për shkak të punës së gjykatave, dikush ka pasur kërkesë për pezullimin e dënimit, dikush për lirimin nga paraburgimi”.

Ibërdemaj, deklaroi se të paraburgosurit kanë qëndruar në grevë vetëm 1 ditë, ditën e dytë e kanë ndërprerë grevën pas bisedimeve që i kanë pasur dhe pas sqarimit të arsyeshmërisë së grevës.

Kujtojmë se Xhabir Zharku është në paraburgim që nga dhjetori i vitit 2019, ku me 14 dhjetor ishte arrestuar në Aeroportin e Prishtinës duke tentuar të arratisej nga Kosova.