Foto: REL/Reuters

Vdekjet, lëndimet në vendet e punës e mungesa e kontratave, sfidat kryesore të punëtorëve të Kosovës

Punëtorët ballafaqohen me shumë telashe në Kosovë, nga mungesa e kontratave të punës, orari i tejzgjatur deri te kushtet jo të favorshme për punë.

Vetëm gjatë vitit 2020 vdiqën 11 punëtorë në vendin e punës derisa mbi 160 të tjerë u lënduan. Përkundër gjendjes, Inspektorati i Punës ndau vetëm 115 gjoba në vitin e kaluar. Ky organ numëron 37 inspektorë të punës në tërë territorin e Kosovës.

“Gjendja është vërtetë e rëndë në subjektet punuese në Kosovë, jemi vazhdimisht në përpjekje, por meqë e kemi një numër të kufizuar, po na përsëritën çdo vit, e kemi numrin e kufizuar të inspektorëve dhe në pamundësi që t’i përfshijmë të gjitha, po provojmë  që të organizojmë fushata vetëdijesuese për me mujtë me arritë një shkallë më të kënaqshme”, ka thënë Agim Millaku, zëvëndëskryeinspektor i punës.

“Në sektorin e ndërtimtarisë i kemi pasë problemet më të mëdha, sepse sektorët e tjerë nuk janë shumë aktivë, meqë është duke u bë një numër shumë i madh i ndërtimeve, këtu po na ndodhin rastet sepse punëtorët tanë janë të painformuar, të patrajnuar mbi sigurinë në punë”, tha ai.

Agim Millaku, zëvendës kryeinspektor i punës. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Millaku tha se shpesh punëdhënësit nxjerrin dokumente fiktive për trajnim të punëtorëve.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Sektorit Privat, ka thënë se Inspektorati i Punës nuk i merr masat e duhura kur ndodhin aksidente në vendin e punës.

“Në vitin 2018 i kemi 27 raste të vdekjeve në vendin e punës, 2019 17 raste, në vitin 2020, ne kemi një tjetër shifër, është 15 të vdekur dhe në 2021 i kemi 5 raste të vdekjes. Ka raste kur një kompani është dënuar vetëm 2,000 euro ku ka vdekur një djalë në vendin e punës pa kontratë të punës, ai ka qenë 17-vjeç. Këtë gjoba ia ka dhënë inspektorati”, tha ai.

“Në vendin e punës, të vdesë një person vetëm 17-vjeç, të dënohet vetëm me 2,000 mijë euro, kjo nuk do koment”, tha ai.

Jusuf Azemi, Sindikata e Sektorit Privat. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Por, zv.inspektori i punës, Agim Millaku ka thënë se vlerësimet për dënime ndaj kompanive i bëjnë inspektorët nga vendi i ngjarjes.

“Çështja e gjobës është çështje e vendimit e inspektorit të punës pa ndërhyrje, e ka një autonomi, atë ia ka mundësu ligji sepse ligji e përcakton shumën e gjobës. Ligji e parasheh gjobën deri në 50 mijë euro”, tha ai.

Në anën tjetër, Kreshnik Gashi redaktor menaxhues në KALLXO.com ka thënë se vlerësimet për hetime penale, duhet të bëhen nga Prokuroria e Shtetit.

“A është fajtor dikush nga kompania kur vdes dikush, atë duhet ta bëj prokuroria, ata janë të thirrur me bë hetime penale. Gjoba e Inspektoratit lidhet me hetimet paraprake te punëdhënësit, është më shumë një gjoba administrative”, tha ai.

Kreshnik Gashi, KALLXO.com. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Çfarë ish dashtë me qenë më e rëndësishme këtu është veprimi i prokurorisë. Në rast se ka pasë veprime të kundërligjshme, ata duhet të veprojnë, nuk është vetëm Inspektorati i Punës”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se ka sektorë të tjerë, përveç atij të ndërtimtarisë, ku ndodhin vdekje në vendin e punës.

“Kanë qenë edhe disa vdekje nëpër miniera të cilat mendoj që ish dashtë me u analizu edhe më tej, sepse gjendja nëpër miniera në Kosovë nuk është e mirë, ka një presion që ata të punojnë më shumë e mjetet me të cilat punojnë ata janë shumë të vjetra”, ka deklaruar Gashi.

Kompanitë të cilat lidhin kontrata të punës me punëtorë që janë nën moshën 18-vjeçare, e shkelin ligjin.

Kështu ka vlerësuar Albana Kelmendi, avokate e cila mbron disa raste në gjykatë e të cilat janë nga sektorë të ndryshëm të punës.

“Ligji i punës, në mënyrë shprehimore e përcakton që punëdhënësi nuk mund të lidh kontratë me një person nën moshën 18-vjeç, përjashtimisht në disa raste siç përcaktohen me ligj, pra vetëm ato punë që nuk mund të sjellin lëndime dhe janë të rënda”, ka thënë Kelmendi.

Albana Kelmendi, Avokate . Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat ka thënë se rastet të cilat i posedojnë i kanë denoncuar në inspektoat e në prokurori, por veprimet po mungojnë.

“Ne si Sindikatë nuk kemi lënë gur pa prek që të përmirësojmë gjendjen e punëtorëve në sektorin privat, kam kërkuar takime edhe me krerët e shtetit por deri më tani jam takuar vetëm me ministren e Arsimit. Ne kemi shku edhe në Inspektorat edhe në prokurori me i denoncu të gjitha rastet që i posedojmë”, ka thënë Jusuf Azemi.