Dënim me kusht për të akuzuarin që e pranoi se i ishte bashkuar ISIS-it

Zijadin Berisha u gjet fajtor dhe u dënua sot me dy vite burgim me kusht nga Gjykata e Prishtinës, për organizmi dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

Kështu vendosi sot gjykata për të njëjtin, i cili nuk u paraqit në seancë.

Në shpalljen e aktgjykimit munguan edhe prokurorja e çështjes Fikrije Zejnullahu dhe avokatja e Zijadin Berishës, Albana Kelmendi.

Berisha e kishte pranuar fajësinë se kishte hyrë në Siri dhe i ishte bashkuar grupit terrorist ISIS në vitin 2013, e që kishte qëndruar deri në janar të vitit 2014.

Berisha ngarkohej edhe me veprën penale të armëmbajtjes së paautorizuar.

Për këtë vepër penale, atij i’u shqiptua gjobë në shumë prej 2 mijë eurosh.

Kujtojmë se i njejti kishte pranuar fajësinë për këto vepra penale në seancën e  25 korrikut të këtij viti, ku edhe kishte shprehur pendesën e thellë për veprimet e kryera.

Tutje, kishte premtuar trupit gjykues të përbërë nga Gazmend Bahtiri kryetar, Alltën Murseli dhe Gëzim Ademi anëtarë se nuk do ta përsëritë veprën penale.

Ky trup gjykues e kishte aprovuar pranimin e fajësisë, me kërkesën e mbrojtjes së të akuzuarit, Albana Kelmendi në seancën në fjalë kishte deklaruar se ky pranim i fajësisë ishte bërë me vullnetin e lirë dhe në konsultë të mjaftueshme.

Prokurorja e çështjes Fikrije Fejzullahu nuk kishte shprehur kundërshtime lidhur me pranimin e fajësisë për të akuzuarin, duke shtuar se i njëjti që nga fillimi i procedurës ka pasur mbrojtës dhe ka pasur mundësi të konsultimit të mjaftueshëm në njërën anë dhe në anën tjetër sipas saj ky pranim i fajësisë është në përputhje me provat materiale që gjenden në shkresat e lëndës.

Sipas  prokurorisë kishte hyrë në Siri dhe i ishte bashkuar grupit terrorist ISIS në vitin 2013, e që kishte qëndruar deri në janar të vitit 2014.

Në dosjen e prokurorisë përshkruhet se me rastin e bastisjes së shtëpisë së të akuzuarit janë gjetur dhe konfiskuar një pushkë automatike AK-47, pushkë të gjuetisë, 60 fishekë të pushkës automatike 25 fishekë për pushkë të gjuetisë, një uniformë ushtarake dhe një radiolidhje.

Raportimet e KALLXO.com – LINK