Vrasja në Ferizaj, ‘Buta’ dëshmitar në gjykimin ndaj vëllait të tij

Qëndrim Januzi, i akuzuar për vrasjen e Gazmend Hysenit natën e 28 majit të vitit të kaluar, është ulur sot në bankën e të akuzuarit në Gjykatën e Ferizajt.

Ai akuzohet për dy vepra penale,  “Vrasje e rëndë “ dhe “armëmbajtje pa leje”.

Në seancë, është thirrur nga prokuroria në cilësinë e dëshmitarit rep këngëtari, Betim Januzi, i njohur si “Buta”, i cili është i vëllai i të akuzuarit Qëndrim Januzi.

Në seancën e parë të shqyrtimit të mbajtur më 7 korrik, gjykatësi Habib Zeqiri njoftoi se në këtë seancë i akuzuari Qëndrim Januzi e ka pranuar fajësinë për armëmbajtje, por për veprën penale të vrasjes nuk e ka pranuar cilësimin juridik që i ka bërë prokuroria.

Prokurori o çështjes Ismet Rrahmani, në këto momente është duke parashtruar pyetje dëshmitarit të dytë me radhë, rep këngëtarit “Buta”, lidhur me natën kritike të vrasjes.

Sipas aktakuzës, më datë 28 maj 2022, rreth orës 00:53 në Ferizaj para hyrjes së marketit “E… M….”, i pandehuri me dashje dhe përgatitje e ka privuar nga jeta të ndjerin G. H., duke shtënë 6 herë në drejtim të tij me armë zjarri.

Si motiv i vrasjes, prokuroria pretendon të ketë qenë mosmarrëveshja e mëhershme mes të pandehurit dhe të ndjerit, lidhur me një veturë të vëllait të të pandehurit  – reperit ‘Buta’, ku i pandehuri pretendon se atë veturë e ka djegur tani i ndjeri.

I akuzuari Qëndrim Jonuzi ndodhet në paraburgim që nga ndodhja e ngjarjes, me kërkesë të prokurorisë.

Seanca për caktimin e paraburgimit ishte mbajtur në spitalin ku po qëndronte i dyshuari, për shkak se në natën kritike ishte goditur me plumb nga njëri nga policët, pas mos bindjes së urdhrave të tyre.

Plagosja e tij kishte ndodhur kur një njësi e policisë po kalonte në afërsi të vendit të ngjarjes meqë ishte duke bartur një të dyshuar për narkotikë, e me ç’rast policët intervenuan në rastin në fjalë dhe pas mos bindjes, e plagosën të dyshuarin Jonuzi.

Ndaj zyrtarit policor që ka kryer plagosjen e të dyshuarit, Inspektorati Policor i Kosovës kishte nisur hetimet.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK