Nedelko Spasojeviq, njëri nga 6 të akuzuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviqit | Foto: KALLXO.com

Vrasja e Oliver Ivanoviqit, Gjykata refuzon që të merren dosje nga deklarimi i ministrit serb

Gjykata Themelore e Prishtinës ka refuzuar kërkesën e avokati të Nedelko Spasojeviq, njërit nga 6 të akuzuarit për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq që të sigurohet dosja e deklarimit të ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, se dihet emri i autorit të vrasjes së Ivanoviqit.

Avokati mbrojtës i njërit nga të akuzuarit, Nedelko Spasejoviq i propozoj gjykatës që përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar dhe Eulex-it të sigurohen dosjet nga Beogradi lidhur me deklarimet e ministrit të brendshëm Bratislav Gashiq, meqë i njëjti kishte deklaruar në qershor se ‘’Ne e dimë se kush e ka vrarë Oliver Ivanoviqin’’.

Prokurori special Burim Qerkini, e kundërshtoi propozimin e mbrojtësit për arsye se nuk mund të bazohen në diskutimet politike që zhvillohen në shtetin tjetër dhe mungesës së bashkëpunimit juridik ndërkombëtar mes vendeve.

Sipas tij, procedura është duke u zhvilluar në shtetin tonë, e ‘’nëse Serbia konsideron që ato informata janë të rëndësishme atëherë le të zhvillojë procedurë kundër atyre personave’’.

‘’Edhe në qoftë se këto prova do të siguroheshin, nuk do të ishin kredibile në këtë process gjyqësor’’ – shtoi ai.

Gjykata e refuzoi propozimin e avokatit të të akuzuarit Spasejoviq.

Lidhur më këtë, trupi gjykues i përbërë nga kryetari i trupi gjykues, Valon Kurtaj dhe Musa Konxheli dhe Valbona Selimaj – anëtarë, sqaroi se kanë konfirmim zyrtar nga Ministria e Drejtësisë se mungon bashkëpunimi juridik ndërkombëtar mes Kosovës dhe Serbisë dhe çdo kërkesë vetëm do ta prolongonte procesin gjyqësor.

Në seancën e së hënës u diskutua lidhur me administrimin e provave materiale.

Të gjithë mbrojtësit e të akuzuarve deklaruan që kanë pranuar materialet dhe provat, andaj gjykata vendosi që të njëjtat të lexohen dhe të konstatohen si të lexuara. Ndërsa lidhur me videomaterialet u propozua që të njëjtat të shikohen në shqyrtimet gjyqësore në vazhdim.

Lidhur me deklaratat e dëshmitarëve që do të administrohen si prova, prokurori Qerkini sqaroi se dëshmitarët B1 dhe B3 nuk kanë pranuar të dëshmojnë në asnjë mënyrë publike dhe se i kanë mbështetur kërkesat e të njëjtëve për mbajtjen e seancave private për shkak të rrezikshmërisë.

“Nuk dëshirojmë që të rrezikohet jeta e tyre për shkak të një dëshmie në një proces gjyqësor”. – tha prokurori i çështjes.

Lidhur më këtë, trupi gjykues vendosi që deklaratat e dëshmitarëve B1 dhe B3, do t’i administrojë si prova sepse ka fakte te rëndësishme.

Ndërkaq, prokurori Qerkini lidhur me dëshminë e dëshmitarit A1 theksoi se ka qenë bindëse por nuk ka qenë burimore. Prokuroria ndaj të njëjtit po zhvillon procedurë penale për dëshmi të rreme.

Prokurori thekson se nëse dëshmia e tij vlerësohet me të gjitha provat në tërësi mund të konsiderohet relevante për përdorim si provë në procedurë.

Sipas aktakuzës, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedelko Spasojeviq, Rade Basara, po akuzohen se si grup kriminal të udhëhequr nga Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq, kishin kontribuar në forma të ndryshme në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Së fundmi për këtë rast është arrestuar Milan Mihajloviq i cili është i njohur me emrin “Popi”

Në këtë rast akuzohen edhe dy zyrtarë policorë, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, të cilët sipas Prokurorisë kishin manipuluar me prova të rastit.

Sipas aktakuzës, secili nga të lartcekurit në ditën kritike kanë kryer veprime konkrete, të cilat kanë dërguar deri te vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Prokuroria pretendon se i pandehuri Nedelko Spasojeviq duke vepruar si anëtar i grupit, ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Sipas aktakuzës ai fillimisht u ka mundësuar të dyshuarve që të lëvizin me veturën zyrtare të policisë të markës Golf IV, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit tek vetura “Opel Astra”, ngjyrë e kaltër, pa targa, nga e cila veturë është shtënë në të ndjerin Oliver Ivanoviq.

Përveç kësaj në aktakuzë thuhet se i pandehuri Nedelko Spasojeviq në ditën kritike së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, kanë lejuar personat e paautorizuar të futen në vendin e ngjarjes dhe të dëmtojnë provat që kanë qenë aty.

Marko Roshiq akuzohet se si anëtar i grupit kriminal ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit  pasi me veturën “Santa Fe” ka përcjellë çdo lëvizje të tij para vrasjes, ndërsa pas vrasjes, në rrobat e të ndjerit është gjetur një letër, në të cilën kanë qenë të dhënat e veturës “Santa FE”, ngjyrë e zezë, me targa “KM-014-FZ”.Në aktakuzë ceket se kjo veturë është në pronësi dhe përdorim të të akuzuarit Roshiq dhe përmes saj ai e kishte përcjellë edhe Mirosllav Ivanoviqin, vëllanë e të ndjerit pasi kishte ndodhur vrasja.

Rade Basara akuzohet se si polic hetues në Mitrovicën e Veriut kishte bashkëpunuar ngushtë me Zhelko Bojiqin dhe me grupin e organizuar e që është udhëhequr nga i dyshuari Millan Radoiçiq, për t`i eliminuar dhe fshehur gjurmët e krimit si dhe provat dhe dëshmitë në vendin e ngjarjes.

E pandehura Silvana Arsoviq, akuzohet se si anëtare e grupit kriminal kishte ndihmuar në eliminimin e pengesave për kryerjen e vrasjes duke shkyçur nga rryma kamerat e sigurisë dhe duke mundësuar që të dyshuarit të mos incizohen nga kamerat e sigurisë në kohën kur kryhet akti i vrasjes.

Sipas Prokurorisë Arsoviq menjëherë pas vrasjes së Ivanoviqit ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyrat e partisë SDP. Ajo sipas aktakuzës ka qenë duke punuar si administratore në këto zyre dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja.

Polici Dragisha Markoviq akuzohet se pa autorizim ka dhënë informata të cilat përbënin fshehtësi zyrtare gjatë kohës sa ishte në vendin e ngjarjes ku kishte ndodhur vrasja e Oliver Ivanoviqit.

Dy policët Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, akuzohen edhe se kanë manipuluar me provat e vendit të ngjarjes me qëllim që t’i bëjnë të pashfrytëzueshme duke i hequr dhe fshehur ato. Sipas Prokurorisë Speciale Dragisha Markoviq, bën me dorë në drejtim të gëzhojës e cila ishte gjetur në vendin e ngjarjes e të cilën më pas i pandehuri Zharko Jovanoviq e merr atë gëzhojë, e fut në xhep dhe së bashku me të pandehurin tjetër Dragisha Markoviq largohen nga vendi i ngjarjes.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast – LINK