Vendimi i Gjykatës ndaj të dyshuarve për ngatërrimin e kufomave që vdiqën nga COVID-19

Gjykata e Prizrenit ka aprovuar kërkesën e prokurorisë duke caktuar 1 muaj paraburgim ndaj dy punëtorëve të kompanisë të cilët kanë kryer gabimisht funeralin e viktimave të COVID-19.

Siç thuhet në njoftim, gjatë ditës së mërkurë, punëtorët e kompanisë së funeraleve kanë shkuar në Klinikën Infektive të QKUK-së në Prishtinë, me qëllim që të tërheqin nga aty trupin e pajetë të viktimës H. K., dhe të njëjtin t’a dërgojnë në Prizren, për ceremoninë e varrimit nga familjarët e tij.

Mirëpo, të dyshuarit E. R., dhe M. N., nga Klinika Infektive kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës Z. D., së bashku me dokumentacionin e nevojshëm përcjellës, duke menduar se kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës H. K.

Sipas gjykatës, trupi i pajetë i viktimës Z. D., rreth orës 14:30, është dërguar në varrezat e qytetit në Prizren dhe ju është dorëzuar familjarëve të viktimës H. K., dhe familja e tij e kanë varrosur në varrezat e qytetit në Prizren, duke menduar se është trupi i familjarit të tyre H. K.

Sipas dosjes së Prokurorisë më pastaj, është kuptuar se është bërë ngatërrimi i kufomave dhe se në varrezat e qytetit në Prizren, është varrosur gabimisht trupi i pajetë i viktimës Z. D.

Tutje në dosje theksohet se me të kuptuar gabimin e ndodhur, të dyshuarit E. R., dhe M. N., sërish janë kthyer në Klinikën Infektive dhe nga aty kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës H. K., dhe e kanë dërguar në varrezat e qytetit në Prizren. Të dyshuarit e lartcekur, rreth orës 18:00, kanë paguar 300 euro disa persona që të bëjnë zhvarrimin e trupit të pajetë të viktimës Z. D., dhe në të njëjtin varr, kanë varrosur viktimën H. K.

E gjithë kjo, është kryer pa prezencën e familjarëve të viktimës H. K., dhe pa njoftuar zyrtarët policor. Më pastaj, trupi i zhvarrosur viktimës Z. D., është kthyer sërish në Prishtinë.

Gjykata ka marrë parasysh se me veprimet e tyre të pandehurit kanë cenuar rëndë ndjenjat e familjarëve të të ndjerëve, si dhe duke marrë parasysh vendosmërinë e të pandehurve për të kryer veprën penale andaj Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.

Skandal, varrosën gabimisht viktimën e COVID-19