Arkiv/Ilustrim

Skandal, varrosën gabimisht viktimën e COVID-19

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar paraburgim për dy punëtorët e kompanisë që ka kryer funeralet e viktimave të COVID-19.

Aktualisht, të pandehurit E. R., dhe M. N., të cilët me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh.

Punëtorët e kompanisë së funeraleve gjatë ditës së djeshme kanë shkuar në Klinikën Infektive të QKUK-së në Prishtinë, me qëllim që të tërheqin nga aty trupin e pajetë të viktimës H. K., dhe të njëjtin t’a dërgojnë në Prizren, për ceremoninë e varrimit nga familjarët e tij.

Mirëpo, të dyshuarit E. R., dhe M. N., nga Klinika Infektive kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës Z. D., së bashku me dokumentacionin e nevojshëm përcjellës, duke menduar se kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës H. K.

Sipas prokurorisë, trupi i pajetë i viktimës Z. D., rreth orës 14:30, është dërguar në varrezat e qytetit në Prizren dhe ju është dorëzuar familjarëve të viktimës H. K., dhe familja e tij e kanë varrosur në varrezat e qytetit në Prizren, duke menduar se është trupi i familjarit të tyre H. K.

Më pastaj, është kuptuar se është bërë ngatërrimi i kufomave dhe se në varrezat e qytetit në Prizren, është varrosur gabimisht trupi i pajetë i viktimës Z. D.

Me të kuptuar gabimin e ndodhur, të dyshuarit E. R., dhe M. N., sërish janë kthyer në Klinikën Infektive dhe nga aty kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës H. K., dhe e kanë dërguar në varrezat e qytetit në Prizren. Të dyshuarit e lartëcekur, rreth orës 18:00, kanë paguar 300 euro disa persona që të bëjnë zhvarrimin e trupit të pajetë të viktimës Z. D., dhe në të njëjtin varr, kanë varrosur viktimën H. K.

E gjithë kjo, është kryer pa prezencën e familjarëve të viktimës H. K., dhe pa njoftuar zyrtarët policor. Më pastaj, trupi i zhvarrosur viktimës Z. D., është kthyer sërish në Prishtinë.

Më këto veprime, të dyshuarit E. R., dhe M. N., kanë përmbushur elementet e veprës penale “Dëmtimi i varreve apo kufomave” nga neni 413 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).​