Donjeta Pajazitaj - Foto: Facebook

Vazhdon gjykimi i tretë ndaj të akuzuarit për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

Naser Pajazitaj, i cili akuzohet se e ka vrarë Donjeta Pajazitajn, ka dalur sërish para gjykatësit nën masa të rrepta të sigurisë, për t`u përballur me aktakuzën e Prokurorisë së Pejës.

Ai akuzohet se në mënyrë dinake e kishte vrarë Donjeta Pajazitajn, e cila ishte duke shkuar në punë.

Në seancën e sotme u dëgjuan tre deshmitarë, ndër ta edhe Kushtrim Pajazitaj, i cili tha se ka dhënë deklaratë në shqyrtimet e kaluara gjyqësore por që nuk i kujtohet se çka ka dëshmuar.

“Për të parë se çka kam thënë i keni deklaratat me shkrim të cilat mund t`i shikoni. Të gjitha që i kam thënë kanë qenë të verteta. Kur jemi mbledhur në vendin e quajtur “Drum”, pastaj ka ardhur edhe Naseri me veturë në të cilën ka qenë i vetëm në veturë. Nuk e di nëse dikush tjetër e ka vozitur veturën e Naserit”, tha deshmitari Kushtrim Pajazitaj.

Tutje dëshmitari tha se i akuzuari Naser Pajazitaj ka biseduar me dikë në telefon dhe pasi e ka mbyllur telefonin është larguar nga aty dhe pas afërsisht 10 minutave është kthyer prapë tek vendi i quajtur “Drum”.

“Kur ka kaluar Donjeta nga “Drumi”, Naseri ka vazhduar me qëndru aty dhe nuk ka lëviz nga aty. Kur jemi nisur drejt varrezave, Naseri ka ardhur me disa persona tjerë e jo me mua. Unë asnjëherë nuk e kam parë të ndjerën Donjeta në veturën e Naserit”, përfundoi dëshminë e tij dëshmitari Pajazitaj.

Tutje u dëgjuan edhe deshmitarët Qendrim Jusaj dhe Kastriot Pajazitaj, të cilët thanë se kanë dhënë deklarata edhe në shqyrtimet e kaluara në Gjykatën e Pejës dhe se qëndrojnë edhe pranë tyre.

Sipas prokurorisë përderisa Donjeta ishte duke shkuar në punë, i akuzuari Naser Pajazitaj ishte ndalë me veturë dhe e kishte marrë Donjetën me ç`rast e kishte dërguar tek vendi ‘Kroi i lajthisë’, ku më pas me dy plumba në kokë e kishte privuar nga jeta.

Por për këto akuza, Gjykata Themelore në Pejë në mungesë të provave e kishte liruar Naser Pajazitajn nga akuzat, mirëpo me ketë vendim nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila ka vendosur që çështjen ta kthejë edhe një herë në gjykim.

Pas rigjykimit Pajazitaj ishte dënuar me burgim të përjetshëm, vendim ky i cili në muajin korrik të vitit 2019 edhe ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit.

Tutje, Gjykata e Pejës kishte kërkuar që të përjashtohet nga ky rast pasi kishte marrë dy vendime skajshmërisht të ndryshme, me njëri tjetrin, me njërin duke e liruar, kurse me vendimin tjetër e kishte dënuar me burgim të përjetshëm.

Tani, pasi Gjykata Supreme i kishte prishur të dy vendimet e Gjykatës së Pejës (edhe atë të lirimit edhe atë të dënimit me burgim të përjetshëm), lënda është duke u gjykuar në Gjykatën e Ferizajt.

Pas përfundimit të orarit të punës, shqyrtimi i sotëm u ndërpre për të vazhduar më 16 dhe 17 nëntor.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

I akuzuari për vrasjen e Donjeta Pajazitajt sërish para Gjykatës