Gjykimi i Naser Pajazitajt për vrasjen e Donjeta Pajazitajt. FOTO- Fitim Limani/KALLXO.com

I akuzuari për vrasjen e Donjeta Pajazitajt sërish para Gjykatës

Naser Pajazitaj, i cili akuzohet se e ka vrarë Donjeta Pajazitajn, ka dalur para gjykatësit nën masa të rrepta të sigurisë.

Ai akuzohet se në mënyrë dinake e kishte vrarë Donjeta Pajazitajn, e cila ishte duke shkuar në punë.

Sipas prokurorisë,  i akuzuari Naser Pajazitaj ishte ndalë me veturë dhe e kishte marrë Donjetën dhe e kishte dërguar tek vendi ‘Kroi i lajthisë’, ku më pas e kishte vrarë me dy plumba në kokë.

Gjykata Themelore në Pejë në mungesë të provave e kishte liruar Naser Pajazitajn nga akuzat, mirëpo me ketë vendim nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila ka vendosur që çështjen ta kthejë edhe një herë në gjykim.

Pas rigjykimit Pajazitaj ishte dënuar me burgim të përjetshëm, vendim ky i cili në muajin korrik të vitit 2019 edhe ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit.

Më pas Gjykata Supreme i kishte prishur të dy vendimet e Gjykates së Pejes (edhe atë të lirimit edhe atë të denimit me burgim të përjetshëm) duke e kthyer rastin në rigjykim.

Tutje, Gjykata e Pejës kishte kërkuar qe të përjashtohet nga ky rast pasi kishte marrë dy vendime skajshmërisht të ndryshme, me njëri tjetrin, me njërin duke e liruar, kurse me vendimin tjeter e kishte dënuar me burgim të përjetshëm.

Kështu u vendos që lënda të gjyohet në Gjykatën e Ferizajt.

Në seancë sot  u dëgjua dëshmitari Halil Pajazitaj (Babai i Donjeta Pajazitajt), i cili tha se në ditën kur ka ndodhur rasti ai bashkë me një fqinj të tij  ka shkuar në fshatin Strellc për ta kërkuar tashmë të ndjeren.

“Kur kemi shkuar në Strellc e kemi kërkuar një vajzë me emrin Teuta e cila na patën thënë se e kishte parë për herë të fundit Donjeten duke hipur në autobus. Në Strellc nuk kemi mundur ta takojmë Teutën pasi ajo nuk kishte qenë në shtëpi dhe ne jemi larguar nga aty pa kryer punë. Më tutje nuk më kujtohet se çka ka ndodhur sepse jam i sëmurë nga sëmundja e sheqerit dhe po i harroj gjërat”, tha dëshmitari.

Dëshmitari tjetër Azem Pajazitaj, tha se ka dhënë deklaratë në Prokurori dhe në shqyrtimet e kaluara gjyqësore në gjykaten e Pejes dhe se qëndron pranë tyre duke bërë edhe njëherë sqarimin e rrethanave qe ai i dinte lidhur me rastin.

Në vazhdim u dëgjuan edhe dy dëshmitarë të cilët treguan versionin e tyre të ngjarjes duke mbetur edhe pranë deklaratave nga shqyrtimet e kaluara gjyqësore, si në gjykimin e parë kur i akuzuari Naser Pajazitaj ishte liruar, po ashtu edhe në shqyrtimin e dytë kur Pajazitaj ishte dënuar me burgim të përjetshëm.

Pas propozimit për dëgjimin e disa dëshmitarëve të tjerë, seanca e sotme do të vazhdojë më 22 tetor.

Burgim i përjetshëm ndaj të akuzuarit për vrasjen e Donjeta Pajazitajt