Transporti i 130 kilogramëve marihuanë për Zvicër u tentua nëpërmjet dyerve të drurit (VIDEO)

Në vitin 2017, në brendësi të 22 dyerve që po transportoheshin drejt Zvicrës, Policia kishte arritur të konfiskonte 315 paketime marihuanë me peshë prej 130 kilogramë e 649.3 gramë.

Në nëntor të vitit 2017, Emisioni Drejtësia në Kosovë në rubrikën Policia kishte transmetuan filmimet ekskluzive nga aksioni i Policisë  në aksionin e koduar “Lozana”.

Xhirimet ekskluzive tregojnë se të dyshuarit kanë arritur ta maskojnë marihuanën nëpër dyer. Siç tregojnë pamjet e filmuara në të dy lokacionet, në Prizren e Ferizaj, janë konfiskuar gjithsej 315 paketime me peshë totale prej 130 kilogramë e 649.3 gramë.

Pamje: Zbulimi Kosovar droga eksportohet me dyer

Kur kanë kaluar gati 2 vjet nga ky aksion i Policisë, Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotripe dhe analoge.

Të dyshuarit N.O, U.S, dhe A.S, po akuzohen se pa autorizim kanë ndërmjetësuar në transportimin e substancave apo preparateve të shpallura me ligj si narkotikë, me qëllim të shpërndarjes dhe shitjes ose ofrimit për shitje.

Aktakuza thotë se me datë 24.10.2017 dhe 28.10.2017, në orët e paradites, duke përdorur dy taksi të ndryshëm nga Gjakova, saktësisht nga lapidari i fshatit Dobrosh – Komuna e Gjakovës, të dyshuarit kanë dërguar në kompaninë me inicialet “F.C.”në Prizren, dhe në kompaninë me inicialet “E.T.” në Ferizaj gjithsej 22 dyer të drurit.

Në brendësinë e tyre kanë paketuar në total 130 kilogramë e 649.32 gramë substancë narkotike të llojit marihuanë me qëllim të eksportimit në shtetin e Zvicrës.