Të akuzuarit për krime lufte të kryera në Nerodime, japin mbrojtjen e tyre

Në gjykimin e Zlatan Kërstiq dhe Destan Shabanaj, të akuzuar për krime lufte ndaj popullatës civile në vitin 1999 në fshatin Nerodime e Epërme, të Ferizajt, janë marrë në pyetje dy të akuzuarit.

I akuzuari Zlatan Kërstiq, deklaroi se me palën e dëmtuar – familjen N. N., kishte pasur raporte të mira duke qenë se dikur edhe ai kishte jetuar në të njëjtin fshat.

Ai tha që “personat e familjes N. N. kanë ardh te shtëpia ime dhe unë tek shtëpia tyre, për vdekjen e tyre më ka tregu nëna dhe kam dëgju në fshat, më besoni ju a po jo jam ndjerë keq kur kam dëgju për vdekjen e tyre”.

Gjatë marrjes në pyetje ai e tha se në ditën kritike nuk ka qenë fare në Kosovë, por ka qenë afër familjes së tij në Serbi.

“Rreth datës 20 ose 21 mars të vitit 1999 kam qenë në Kragojevc, pranë gruas dhe fëmijëve duke e prit bombardimin”, deklaroi i akuzuari, Zlatan Kërstiq.

Ai deklaroi që për një kohë të shkurtër ka qenë i mobilizuar dhe i pajisur me armë.

Anëtarja e trupit gjykues, gjyqtarja Valbona Selimaj, e pyeti për periudhën kohore kur ka qenë i mobilizuar.

I akuzuari Zlatan Kërstiq tha se “Kohën nuk e di saktë, por kam qenë 3 herë nga 15 ditë, e di që herën e fundit kanë dashtë me më dërgu në Carralevë, unë të nesërmen jam ç’lajmëru dhe kam shku në Kragojevc jam lajmëru, e di që ka qenë dimër”.

Nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Musa Kongjeli, i akuzuari u pyet për datën e saktë të dorëzimit të armës dhe uniformës policore për herë të fundit.

I akuzuari, Zlatan Kërstiq tha se “Ka qenë dimër, datën saktë nuk e di, mendoj ka qenë fundi i nëntorit të vitit 1998”.

I akuzuari Destan Shabanaj, tha se “Unë kam kërku vet përkthyes dhe s`kam marrë, as gjyqtari i procedurës paraprake nuk me ka ofru përkthyes”.

“Unë shqip di të flas pak, por nuk i kuptoj të gjitha fjalët, nuk është se s`dua të flas shqip por nuk di aq mirë”.

Në vazhdim të gjykimit kur ballafaqohet me pjesë nga deklaratat e mëhershme të tij ai tha se “Fjalët e mia kanë dal nga konteksti, edhe kur ka pas përkthyes dyshoj që ai nuk e ka ditur në mënyrë profesionale gjuhën serbe”.

Kryetari i trupit gjykues, e pyeti se a ka pasur autorizim në profesionin e tij që ka ushtruar në atë kohë si inspektor i krimeve të caktoj për vendin e varrimit të kufomave.

Ai akuzuari Destan Shabanaj tha se gjithëmonë ka punuar nën urdhrat e gjyqtarit dhe asnjëherë nuk ka dal nga autorizimet e tij.

“Detyrat e mia konkrete kanë qenë dalja në vendngjarje kur ka ndodh ndonjë vetëvrasje ose vrasje gjithëmonë me gjyqtarin hetues sipas ligjit dhe nuk ka ekzistuar mundësia që gjyqtari të më autorizoj të dal vet në vendngjarje”, tha i akuzuari, Destan Shabanaj.

Ai gjithashtu potencoi që pas urdhrit të gjyqtarit është kujdesur që trupat e pa jetë në mënyrë të sigurt, meqë ishte kohë lufte të dërgoheshin në vendin që ishte caktuar që ata të varroseshin.

“Mendoj që me 1 prill, kam marrë urdhrin e gjyqtarit hetues, që të marr civilët e vdekur nga mjekësia ligjore në Prishtinë. Personalisht kam qenë aty gjatë marrjes me përcjellje dhe me sigurim, nuk kam takuar asnjë mjek patolog”, tha ai.

Më tutje i akuzuari, Destan Shabanaj, përshkruajti procesin deri te momenti i varrimit të trupave.

“Gjatë dërgimit të trupave unë dhe kolegu që kishim qenë me përcjellje dhe që kemi ec pas kamionit dhe të cilëve iu kemi thënë të mos ndalen nëse dikush i ndal, pastaj një kamionetë ka kalu përpara kanë dal 3 persona që kanë dashtë me na ndal mirëpo ne s`jemi ndal dhe kanë fillu me hap zjarr, ishin të veshur me tesha të ushtarëve ose polic-ushtar. Kemi ec me shpejtësi të madhe që të mos na i marrin trupat e pa jetë”.

“Ne kemi shkuar deri te varrezat e myslimanëve, në Ferizaj, ku na kanë prit një pjesë tjetër e ekipit të caktuar nga komuna, 3 anëtarë të krim-teknikës dhe gjyqtari hetues”, tha Destan Shabanaj.

Kur pyetet nga kryetari i trupit gjykues se “A kanë mund këta trupa me u varros me dinjitet më të madh ?”

“Në atë kohë kanë fluturu bombat dhe kushtet kanë qenë gati të pamundura dhe kam qëndruar në lidhje tërë kohën me bllokun, sepse kanë njoftu që do të ketë bombardime, mirëpo gjyqtari nuk ka reagu dhe ne kemi rreziku jetën duke varros ata trupa, tërë kohën ka qëndruar një fluturake pa pilot dhe i ka xhiru, NATO sigurt i ka ato inçizime”, tha ai.

Seanca e radhës u caktua më datë 15 mars, ora 13:10.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Zlatan Kërstiq, më 26 mars 1999, rreth orës 22:00, në fshatin Nerodime e Epërme, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të Policisë, ushtrisë dhe paramilitarë serbë, i veshur me uniformë të Policisë dhe i armatosur, me vetëdije e qëllim, duke vepruar sipas planit dhe urdhrave të eprorëve të tij, ka marrë pjesë direkte në sulmin kundër popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, konkretisht familjes N N.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i njëjti gjatë këtij aksioni në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të forcave policore, ushtarake dhe paramilitare, fillimisht me mjete motorike ushtarake dhe policore, ka hyrë në oborrin e shtëpisë së N N, e pastaj nën krisma të armëve dhe britmave në gjuhën serbe, rrëmbyeshëm dhe me forcë kanë hyrë brenda në shtëpi, ku ishin të strehuar 19 anëtarët e kësaj familjeje, në mesin e tyre fëmijë, gra e burra.

Tutje, thuhet se në vazhdim derisa personat civilë të familjes N N ishin të rreshtuar në oborr, në prezencën e tyre, i pandehuri në bashkëveprim me kryerës të tjerë, ka marrë pjesë në shkatërrimin e paligjshëm dhe qëllimshëm të pasurisë së kësaj familjeje, djegien e shtëpive, kafshëve, ushqimin e kafshëve dhe gjithë pasurinë që gjendej në oborr, pasuri kjo që nuk justifikohej me nevoja ushtarake.

Pastaj, sipas akuzës i pandehuri në të njëjtën kohë ka marrë pjesë edhe në dëbimin e 15 anëtarëve të kësaj familjeje, të cilët paraprakisht ishin të rreshtuar në oborr, ku në bashkëveprim edhe me kryerës tjetër, nën kërcënimin e armëve  i kanë urdhëruar të shpërngulen nga vendbanimi i tyre duke i dëbuar me forcë në drejtim të panjohur.

Tutje, thuhet se i pandehuri ka marrë pjesë në marrjen peng të katër personave të kësaj familjeje. Sipas aktakuzës, duke vepruar në bashkëveprim me kryerës të tjerë, fillimisht i ka ndarë nga pjesëtarë tjerë të familjes personat N N, N N dhe N N, tani të ndjerë.

Pas marrjes së tyre, thuhet se thelbësisht ka kontribuar në trajtimin mizor të tyre, duke i maltretuar, torturuar, gjymtuar dhe përfundimisht vrarë me armë zjarri, kufomat e të cilëve me qëllim të fshehjes së krimit i kanë hedhur përskaj rrugës magjistrale Prishtinë – Ferizaj, konkretisht në fshatin Babush.

Për këtë, akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale – krime lufte kundër popullatës civile.

Kurse, i pandehuri Destan Shabanaj, sipas aktakuzës, më 1 prill 1999, në cilësinë e inspektorit policor, i armatosur me armë automatike, me qëllim të përdhosjes, poshtërimit dhe trajtimit nënçmues të trupave të pajetë, viktimave N. N., N. N., N. N. dhe N. N., ka urdhëruar që trupat e tyre të varrosen pa dinjitet dhe në kundërshtim me rregullat e luftës të përcaktuara me të drejtën humanitare ndërkombëtare.

Sipas akuzës, në një njëjtën ditë, sipas urdhrit të të pandehurit dhe pjesëtarëve tjerë policorë, trupat e pajetë të viktimave të cekura më larë, përmes personave H.K., I.A. dhe një personi tjetër i quajtur “Rada”, me kamionin e tipit “FAP”, me ngjyrë të verdhë, janë tërhequr nga morgu i Prishtinës, ende pa u bërë autopsia dhe janë dërguar në afërsi të varrezave të qytetit të Ferizajt të quajtura “varrezat myslimane”, ku aty ishte duke i pritur i akuzuari Shabanaj, i cili menjëherë posa kanë arritur trupat e pajetë, ka urdhëruar personin e quajtur “Maksut” që me eskavator të fillojë hapjen e një grope me qëllim të hedhjes së trupave të viktimave.

Aktakuza thotë se pas hapjes së gropës me përmasa përafërsisht 2 deri në 3 metra e gjerë dhe 70 deri në 80 cm të thellë, i pandehuri Destan Shabanaj ka urdhëruar që trupat e të vrarëve fillimisht t’i zbresin nga kamioni, e pastaj pa u respektuar traditat dhe ritet fetare janë hedhur në mënyrë të parregullt të gjithë në të njëjtën gropë. Sipas aktakuzës, në përfundim, i pandehuri në kundërshtim me doket, zakonet dhe rregullat fetare të të vrarëve ka urdhëruar që përmes eskavatorit trupat e pajetë të hedhur në gropë të mbulohen me dhe, duke mos mbajtur asnjë shënim për identitetin e të varrosurve dhe duke mos lënë asnjë shenjë identifikuese se aty ka varrezë.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë proces gjyqësor – LINK