Gjykimi për krime lufte në Nerodime të Epërme - Foto: KALLXO.com

Krimet e luftës në Nerodime, gjykimi i dy të akuzuarve prek fundin

Gjykimit të Zllatan Kërstiqit dhe Destan Shabanajt, të akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile shqiptare në Nerodime të Epërme të Ferizajt, në vitin 1999, po i vjen fundi.

Në fjalën përfundimtare të këtij procesi gjyqësor, prokurori Valdet Gashi tha që është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer ato vepra për të cilat akuzohen.

“Jemi në përfundim të një rasti të rëndësishëm penal ku është vërtetuar se të akuzuarit si zyrtarë të shtetit serb në forcat policore e paramilitare kanë shkelur rregullat dhe ligjet ndërkombëtare gjatë luftës në Kosovë dhe si rrjedhojë konsiderohen si krime lufte”, tha Gashi.

Ai i kërkoi Gjykatës që me rastin e administrimit të provave të mos ua falë besimin deklaratave të të akuzuarve pasi që sipas tij janë kundërthënëse.

“Mbrojtjet e të pandehurve në deklaratat e tyre në polici, prokurori e gjykatë janë kontradiktore dhe nuk duhet t’u falet besimi. Veprimet e tyre konsiderohen veprime të krimeve të luftës ndaj popullsisë civile. Kërkojmë  nga Gjykata që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit dhe se veprimet e tyre janë në kundërshtim të 4 konventave ndërkombëtare”, tha ai.

Fjalën përfundimtare në këtë gjykim e dha edhe avokati i viktimave, Gani Rexha.

Rexha kërkoi nga Gjykata që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe me rastin e shqiptimit të dënimit të ketë për bazë faktin e maltretimit para vrasjes, fshehjen e rastit dhe keqtrajtimin.

Për këto akuza, të akuzuarit Kërstiq dhe Shabanaj ishin deklaruar të pafajshëm.

Fjala përfundimtare e tyre në këtë proces u shty për të premten.

Kërstiq akuzohet se së bashku me pjesëtarë të tjerë të Policisë serbe ka marrë pjesë direkt në sulmin kundër popullatës civile shqiptare.

Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, ai me mjete ushtarake ka hyrë në oborrin e shtëpisë  së familjes NN dhe ka marrë pjesë në shkatërrimin e pasurisë dhe shtëpive.

Ai akuzohet edhe se ka marrë pjesë në dëbimin e 15 anëtarëve të kësaj familjeje dhe në marrjen peng të 4 pjesëtarëve të tjerë, e më vonë vrasjen e tyre.

Prokuroria pretendon se ai ka kontribuar në maltretimin, torturimin, gjymtimin dhe në vrasjen me armë zjarri të viktimave, madje duke i hedhur skaj rrugës kufomat e viktimave me qëllim të fshehjes së krimit.

Kurse Shabanaj akuzohet se në cilësinë e inspektorit policor ka urdhëruar që trupat e këtyre viktimave të varrosen pa dinjitet e në kundërshtim me rregullat e luftës.

PSRK pretendon se në ditën kritike me urdhër të Shabanajt dhe pjesëtarëve të tjerë përmes personave H.K. dhe I.A. i kanë tërhequr me kamion viktimat nga morgu i Prishtinës ende pa iu bërë autopsia.

Tutje, në aktakuzë thuhet se viktimat ishin dërguar në afërsi të varrezave të qytetit të Ferizajt, ku ishte duke i pritur Destan Shabanaj.

Ai pretendohet se kishte urdhëruar personin “Maksut” që me ekskavator të hapte një gropë me qëllim që në të të hidheshin viktimat.

Pas hapjes së kësaj grope, sipas Prokurorisë, Shabanaj ka urdhëruar që pa i respektuar traditat dhe ritualet fetare t’i hidhnin viktimat në gropë dhe t’i hidhnin në dhe, duke mos mbajtur asnjë shënim për identitetin e tyre.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi nga ky proces gjyqësor.