Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Suzana Çerkini, emërohet gjyqtare në Departamentin Special

 

Suzana Çerkini, gjyqtare në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në mbledhjen e fundit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës është përzgjedhur në mesin e gjyqtarëve të cilët u avancuan në mesin e gjyqtarëve të Gjykatës Themelore – Departamenti Special.

Suzana Çerkini

Gjyqtarja Çerkini ka diplomuar në Fakultetin Juridik, Universiteti i Prishtinës në vitin 1986, ndërsa provimin e jurisprudencës e përfundoi në vitin 2002.

Nga viti 1992 deri në 1994 ajo ushtroi detyrën e Përfaqësueses ligjore në Kompaninë Private ‘Tiki Niti Comerc’, ndërsa nga viti 1999 deri më 2000 ka ushtruar detyrën si Zyrtares ligjore së UNMIK-ut. Më 2010 është emëruar gjyqtare në Gjykatën Komunale për Kundërvajtje në Prishtinë.

Me 01.01.2013 Çerkini është emëruar gjyqtare në Departamentin e Përgjithshëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe ka vazhduar këtë pozitë deri në janar 2016.

Rastet më të njohura të cilat i ka gjykuar gjyqtarja Çerkini në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin e Krimeve të Rënda, janë: Rasti i vrasjes së rojës Rrahman Uka të lokalit “Bon Vivant”, rasti i të akuzuarit Naser Kelmendi, i akuzuar për trafikim të narkotikëve dhe rasti i të akuzuarit S. O. për dhunimin dhe vrasjen e 11-vjeçarit, Kujtim Veseli nga Fushë Kosova.

Rasti i vrasjes së rojës Rrahman Uka të lokalit “Bon Vivant”, ku akuzohen Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi. Nga shkalla e parë e gjykimit, të pandehurit Gërdovci dhe Krasniqi ishin shpallur fajtorë për vrasjen e Ukës dhe ishin dënuar afro 26 vite burgim.

Por ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, dhe në rigjykim të akuzuarve gjyqtarja Çerkini iu shqiptoi dënim me 24 vite e 6 muaj burgim.

Rasti tjetër ka të bëjë me të akuzuarin Naser Kelmendi, i akuzuar për trafikim të narkotikëve. Seanca ndaj tij ka dështuar të mbahet pasi zyrtari për bashkëpunim ndërkombëtar, përmes rrugës diplomatike lidhur me dëshmitarin ‘K2’ ende nuk kishte përgjigje.

Ndërsa rasti i tretë ka të bëjë me të akuzuarin S. O., të cilit Gjykata e Prishtinës i ka shqiptuar dënim unik prej 25 vitesh për dhunimin dhe vrasjen e 11-vjeçarit, Kujtim Veseli nga Fushë Kosova.

Gjyqtarja Çerkini pritet që me 1 janar 2021, të fillojë punën në Departamentin Special, në Gjykatën e Prishtinës. Ndërsa rastet të cilat janë në proces, ende nuk dihet se cilit gjyqtar do t’i kalojnë.

Kryesuesi i KGjK-së, Skënder Çoçaj ka deklaruar për KALLXO.com se asnjë rast gjyqësor i cili momentalisht është në proces e sipër, nuk do të kthehet në pikën zero.

Sipas Çoçaj, gjyqtarët të cilët tashmë janë emëruar në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës kanë të drejtë që të gjykojnë lëndë edhe nga Departamenti i Krimeve të Rënda.Prandaj, duke u bazuar në këtë fakt, Çoçaj ka thënë për KALLXO.com se të njëjtit gjyqtarë, do të jenë të ngarkuar edhe me përfundimin e lëndëve të tyre që i kanë në Departamentin për Krime të Rënda dhe njëkohësisht do të ngarkohen edhe me lëndë të reja nga Departamenti Special.