Foto: Kallxo.com

Shtyhet seanca ndaj Naser Osmanit e Atdhe Gashit për 3 përqindëshin

Gjykatësja e rastit të dyshimeve për keqpërdorime në fondin e 3-përqindëshit, Medie Bytyçi, ka shtyrë seancën e caktuar të mbahej sot.

Të akuzuar në këtë rast janë ish-deputeti i LDK-së, Naser Osmani, si dhe Atdhe Gashi ndërsa lënda ndaj ish-kryeministrit të Qeverisë së Kosovës në ekzil në vitet 1990, Bujar Bukoshi, është veçuar për arsye shëndetësore të të akuzuarit.

Në ditën kur pritej të mbahej kjo seancë, u kuptua se prokurori special Avdi Dema sot prej orës 11:00 kishte pasur intervistën për kryeprokuror dhe kjo mund të ketë qenë arsyeja e shtyrjes së seancës.

KALLXO.com shkoi në zyrën e gjykatëses për t’u informuar për arsyen e shtyrjes së kësaj seance mirëpo gjykatësja nuk ndodhej në zyrë.

Fondi i cili ishte krijuar në vitet 90 kishte mbledhur miliona euro të mërgimtarëve por edhe të qytetarëve të Kosovës të cilët depononi para për të financuar qeverinë e Kosovës në ekzil.

Qeveria ishte kthyer pasluftës në Kosovë së bashku me paratë për të themeluar fondin UFORK me të cilin synohej të harxhoheshin disa miliona euro të mbetura.

Prokuroria akuzën ndaj Bujar Bukoshit, Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit e kishte ngritur gjatë vitit 2017. Ata po akuzohen për keqpërdorimin e Fondit 3 për qind, i cili ishte formuar nga kontributet e bashkatdhetarëve Kosovarë, me qëllim të organizimit të jetës institucionale në Kosovë gjatë viteve të 90 –ta.

Këto mjete ishin menaxhuar nga Bujar Bukoshi, i cili ishte kryeministër i Qeverisë  së Kosovës në ekzil.

Pas luftës, në vitin 2000, një pjesë e këtij fondi ishte orientuar në organizatën UFORK, e cila merrej me çështje të rindërtimit.

Prokuroria Speciale po pretendon se Bukoshi, Osmani dhe Gashi gjatë vitit 2006 deri më 2015, i kishin marrë për vete paratë të cilat u ishin besuar nga qytetarët e Kosovës dhe vendeve të tjera të cilët kishin kontribuar në Fondin e 3 përqindëshit.

Sipas aktakuzës ata kanë tërhequr shumën prej 154 mijë euro nga xhirollogaria e UFORK-ut, dhe nuk i kanë arsyetuar se për çfarë qëllimi i kanë tërhequr.

Ish-kryeministri Bukoshi po akuzohet edhe për një rast tjetër, në të cilin sipas prokurorisë kishte përvetësuar shumën e 90 mijë eurove.

Në aktakuzë thuhet se Bukoshi kishte tërhequr shumën e mbi 90 mijë eurove me para në dorë dhe nuk e ka arsyetuar se për çfarë qëllime i ka shfrytëzuar, me këtë rast e ka dëmtuar buxhetin e Fondit 3 për qind.

Tre të akuzuarit për keqpërdorim të buxhetit po akuzohen edhe për shmangie tatimore pasi dyshohet nuk i kanë deklaruar të ardhurat e fituara përmes transaksioneve në emër të pagave të cilat kanë qenë të detyruar t’i deklarojnë.

Me 28 prill 2017, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë për keqpërdorim të Fondit 3%, kundër Bujar Bukoshit, Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit.

Për këtë aktakuzë nuk ishte informuar as mediat e as qytetarët e Republikës së Kosovës.

Rasti ishte i heshtur edhe nga Gjykata Themelore e Prishtinës, pasi më datë 23 maj 2018 kishte mbajtur shqyrtimin fillestar për të cilin nuk ishte i informuar askush.

Për shkak të gjendjes shëndetësore procedura gjyqësore ndaj ish- Kryeministrit Bukoshi ishte veçuar dhe kishte vazhduar ndaj ish-deputetit të LDK-së, Naser Osmani dhe Atdhe Gashit.

Procedura kishte vazhduar ndaj deputetit Osmani dhe Atdhe Gashit, dhe më datë 26 tetor 2018 ndaj tyre ishte mbajtur shqyrtimi i dytë në të cilin të akuzuarit kishin kundërshtuar aktakuzën dhe kishin kërkuar hedhjen e saj.

Kërkesat për hedhje të aktakuzës ishin refuzuar më datë 3 dhjetor 2018 ndërsa ndaj këtij vendimi të akuzuarit kishin ushtruar ankesë.

Instanca e dytë e drejtësisë në Kosovë më datë 17 janar 2019, i ka refuzuar ankesat dhe e ka konfirmuar aktakuzën ndaj Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit.