Shtyhet gjykimi ndaj dy zyrtarëve të Komunës së Suharekës, akuzohen se nuk e kishin rrënuar në tërësi një objekt pa leje

Gjykimi ndaj drejtoreshës së Inspeksionit dhe Inspektorit të Ndërtimtarisë në Komunwn e Suharekës, të cilët Prokuroria po i akuzon për keqpërdorim të detyrës zyrtare ka dështuar që të mbahet.

Shkak për dështimin e seancës së sotme ishte mungesa e përfaqësuesit të palës së dëmtuar “Agro Kosova Holding”.

Lidhur me këtë, kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha ka konstatuar se nuk ka prova se i njëjti ishte ftuar në mënyrë të rregullt.

Në mungesë të kushteve ligjore gjykimi i sotëm nuk u mbajt, i njëjti u caktua për datën 7 dhe 8 shkurt 2022.

Jehona Rrafshi-Lumi po akuzohet se nuk e kishte rrënuar në tërësi një objekt afarist të ndërtuar pa leje, ndërsa Hafir Maliqaj përpos akuzës për përfshirje në këtë rast, të njëjtin Prokuroria po e akuzon se në një rast tjetër nuk e ka penguar një investitor që të vazhdojë ndërtimin e një objekti, ndonëse i njëjti nuk posedonte leje ndërtimi.

Lidhur me akuzën në fjalë, dy të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm.

Të njëjtit me datë 13 korrik 2021, përmes mbrojtësve në afatin ligjor kanë paraqitur kërkesën për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

 

Dy zyrtarët e Komunës së Suharekës në Gjykatë, akuzohen se nuk e kishin rrënuar në tërësi një objekt pa leje

 

Mirëpo, gjykata me 13 gusht ka marr vendim se kundërshtimet e parashtruara nga ana e mbrojtësve të hidhen si të pabazuara.

Gjykata ka vlerësuar se ka bazë ligjore dhe prova të mjaftueshme që e arsyetojnë dyshimin se e pandehura Jehona Rrafshi Lumi si person zyrtar i ka tejkaluar kompetencat dhe nuk i ka përmbushur detyrat me ç’rast ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Në vendim thuhet se edhe  i pandehur Hafir Maliqaj, në cilësinë e personit zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat e tij dhe me këto veprime ka kryer veprën penale keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit.

“Me qëllim të vazhdimit të shqyrtimit gjyqësor nga ana e trupit gjykues në procedurën e provave do të administrohen provat dhe do të vlerësohen përmbajtja e secilës provë, si dhe me qëllim të vërtetimet të fakteve që kanë të bëjnë me veprimin kryes të secilit të pandehur, gjykata do të bëjë vërtetimin e drejtë dhe të plotë të gjendjes faktike”, thuhet në vendim.

Për aktakuzën ndaj drejtoreshës së Drejtorisë së Inspeksionit në Suharekë, Jehona Rrafshi – Lumi, dhe ndaj Hafir Maliqaj inspektor i ndërtimtarisë në Drejtorinë e Inspeksionit, Kallxo.com ka raportuar edhe më herët.

Jehona Rrafshi – Lumi po akuzohet nga Prokuroria se duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, në cilësinë e drejtoreshës së Drejtorisë së Inspeksionit të Komunës së Suharekës pasi që paraprakisht kishte nxjerrë një konkluzion lidhur me disa parcela kadastrale pronë e të dëmtuarës “AgroKosova-Holding”, më pastaj në kundërshtim me frymën e konkluzionit nuk e kishte rrënuar në tërësi objektin afarist të investitorit B. G., të ndërtuar pa leje.

Ndërsa Hafir Maliqaj, Prokuroria po e akuzon se ndonëse në cilësinë e personit zyrtar, si inspektor i ndërtimtarisë nuk i ka ndërmarre masat ligjore për pengimin e rindërtimit të objektit afarist në lagjen Shirokë të Suharekës, objekt ky i ndërtuar nga investitori B. G, që ishte pronë e të dëmtuarës “Agro Kosova – Holding”.

Sipas Prokurorisë, Maliqaj ishte mjaftuar vetëm me nxjerrjen me vonesë të një urdhër – ekzekutimi të lëshuar nga Drejtoresha e Drejtorisë së Inspeksionit, vetëm pasi kishte përfunduar ndërtimi, me ç ‘rast të dëmtuarës “Agro Kosova – Holding”, i ka shkaktuar dëm material apo i ka shkelur të drejtat.

Pika tjetër e aktakuzës së Prokurorisë e gjen Maliqajn përgjegjës që nuk ka vepruar sipas urdhrit të lëshuar nga vetë ai edhe në një rast tjetër që e obligonte investitorin Xh. R., pronar i objektit afarist–montazh “Viva Fresh”, në fsh. Reshtan të Komunës së Suharekës, të pajisej me leje ndërtimi në afatin prej 15 ditësh.

Prokuroria pretendon se Maliqaj nuk e ka penguar investitorin Xh. R., të vazhdojë ndërtimin e mëtutjeshëm, duke dalë me vonesë në vend të ngjarjes dhe duke mos vepruar sipas procedurës për rrëzimin e ndërtimit pa leje, por që të njëjtit i ka dhënë afat shtesë që të pajiset me leje ndërtimi, e kësaj here më gjatë se 30 ditë.

Veprime me anë të të cilave Prokuroria pretendon se i akuzuari Maliqaj i ka shkaktuar dëm material Komunës së Suharekës.

Shkrimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.