Dy zyrtarët e Komunës së Suharekës në Gjykatë, akuzohen se nuk e kishin rrënuar në tërësi një objekt pa leje

Në seancën ndaj drejtoreshës së Inspeksionit si dhe inspektorit të Komunës së Suharekës, të cilët nga ana e Prokurorisë po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mbrojtësit kanë kundërshtuar provat e aktakuzës dhe kërkuan nga gjykata që aktakuza në fjalë të hudhet si e pabazuar.

Jehona Rrafshi- Lumi, nga Prokuroria po akuzohet se në cilësinë e drejtoreshës së Drejtorisë së Inspeksionit të Komunës së Suharekës, nuk kishte rrënuar në tërësi objektin afarist të ndërtuar pa leje.

Kurse, Hafir Maliqajn, Prokuroria po ashtu po e akuzon se ndonëse në cilësinë e inspektorit të ndërtimtarisë, Maliqaj nuk i kishte ndërmarrë masat ligjore për pengimin e rindërtimit të dy objekteve afariste në Suharekë.

Mbrojtësit e të akuzuarve, Hajrip Krasniqi dhe Fatmir Jëlliqi në shqyrtimin e sotëm para kryetares së trupit gjykues, Teuta Krusha, elaboruan kundërshtimin e provave të aktakuzës.

Kështu, mbrojtësi i të pandehurës Jehona Rrafshi Lumi, Hajrip Krasniqi deklaroi se kishte paraqitur në afatin ligjor kërkesën për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, dhe kërkoi nga gjykata që kërkesën e Prokurorisë ta hedhë si të pabazuar, pasi që nga provat që janë nxjerrë në hetime, e mbrojtura e tij nuk e kishte kryer veprën për të cilën akuzohet.

Kurse, mbrojtësi i të pandehurit Hafir Maliqaj, Fatmir Jëlliqi konsideroi se për të mbrojturin e tij, aktakuza nuk mbështetet në prova relevante materiale andaj kërkoi që aktakuza të hudhet si e pabazuar.

Në lidhje me kundërshtimin e provave dhe hudhjen e aktakuzës, përfaqësuesi i Prokurorisë, Metush Biraj, konstatoi se nuk qëndrojnë pretendimet e mbrojtësve pasi që gjatë hetimeve provat janë marrë në mënyrë të ligjshme si dhe ka rezultuar dyshimi i bazuar se të pandehurit e lartcekur, kanë kryer veprat për të cilat po akuzohen.

Sa i përket kundërshtimit të provave, kryetarja e trupit gjykues me vendim të veçantë do të vendosë lidhur me këtë kundërshtim.

Për aktakuzën ndaj drejtoreshës së Drejtorisë së Inspeksionit në Suharekë, Jehona Rrafshi- Lumi, dhe ndaj Hafir Maliqaj inspektor i ndërtimtarisë në Drejtorinë e Inspeksionit, Kallxo.com ka raportuar edhe më herët.

Jehona Rrafshi- Lumi po akuzohet nga Prokuroria se duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, në cilësinë e drejtoreshës së Drejtorisë së Inspeksionit të Komunës së Suharekës pasi që paraprakisht kishte nxjerrë një konkluzion lidhur me disa parcela kadastrale pronë e të dëmtuarës “AgroKosova-Holding”, më pastaj në kundërshtim me frymën e konkluzionit nuk e kishte rrënuar në tërësi objektin afarist të investitorit B. G., të ndërtuar pa leje.

Ndërsa Hafir Maliqaj, Prokuroria po e akuzon se ndonëse në cilësinë e personit zyrtar, si inspektor i ndërtimtarisë nuk i ka ndërmarrë masat ligjore për pengimin e rindërtimit të objektit afarist në lagjen Shirokë të Suharekës, objekt ky i ndërtuar nga investitori B. G., që ishte pronë e të dëmtuarës “AgroKosova – Holding”.

Sipas Prokurorisë, Maliqaj ishte mjaftuar vetëm me nxjerrjen me vonesë të një urdhër – ekzekutimi të lëshuar nga drejtoresha e Drejtorisë së Inspeksionit, vetëm pasi kishte përfunduar ndërtimi, me ç ‘rast të dëmtuarës “AgroKosova – Holding”, i ka shkaktuar dëme materiale apo ia ka shkelur të drejtat e saja.

Pika tjetër e aktakuzës së Prokurorisë, e ngarkon Maliqajn se nuk ka vepruar sipas urdhrit të lëshuar nga vetë ai edhe në një rast tjetër që e obligonte investitorin Xh. R., pronar i objektit afarist–montazh “Viva Fresh”, në fshatin Reshtan të Komunës së Suharekës, të pajisej me leje ndërtimi në afatin prej 15 ditësh.

Prokuroria pretendon se Maliqaj nuk e ka penguar investitorin Xh. R., të vazhdojë ndërtimin e mëtutjeshëm, duke dalë me vonesë në vend të ngjarjes dhe duke mos vepruar sipas procedurës për rrëzimin e ndërtimit pa leje, por që të njëjtit i ka dhënë afat shtesë që të pajiset me leje ndërtimi, e kësaj here më gjatë se 30 ditë.

Veprime me anë të të cilave Prokuroria pretendon se i akuzuari Maliqaj, i ka shkaktuar dëme materiale Komunës së Suharekës.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për rastin në fjalë.