Rasti 'Toka' 27.09.2019

Sërish dështon seanca ndaj Azem Sylës për rastin 'Toka'

Dështon të mbahet seanca ndaj ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla, dhe 21 të akuzuarve tjerë në procesin gjyqësor ‘’Toka’’.

Shkak për shtyrjen e kësaj seance ishte mungesa e Azem Sylës, Shpresim Ukës, Fahredin Gashit, Agramin Brashorit, Lumnije Supjanit, Nurtene Brajshorit, Basri Morinës, Ljubisha Vujoviçit.

Munguan edhe dëshmitarët Faton Majaci dhe Mexhid Syla.

Gjykatësi Beqir Kalludra, konstatoi se kjo seancë shtyhet me kërkesën e mbrojtësit të Azem Sylës, avokatit Besnik Berisha, pasi i njëjti ka rast të vdekjes.

Seanca e radhës u caktua për datën 28 tetor.

Dy seancat e kaluara në këtë proces ishin mbajtur në Gjykatën e Gjilanit dhe ishin të mbyllura për publikun për shkak të sigurisë së dëshmitarit i cili ishte marrë në pyetje përmes  video-linkut.

Në këtë rast gjyqësor, Azem Syla dhe 21 persona të tjerë akuzohen për krim të organizuar në tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.

Në dhjetor të vitit 2016, Azem Syla ishte deklaruar i pafajshëm.

Prokuroria Speciale më 25 tetor ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitos, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

KALLXO.com në vazhdimësi e ka monitoruar këtë proces gjyqësor.

Publikut nuk i lejohet ta dëgjojë dëshminë ndaj Azem Sylës në gjykatë

 

Rasti i Azem Sylës, ish-prokurori vendor: Emrat që u përmendën sot janë të dëshmitarëve të mbrojtur

 

Prokurori italian që hetoi Azem Sylën: Publikimi i emrave të dëshmitarëve – shkelje e rëndë

.