Publikut nuk i lejohet ta dëgjojë dëshminë ndaj Azem Sylës në gjykatë
Trupi gjykues në rastin e quajtur “Toka” ka vendosur që ta mbyllë seancën e sotme ndaj ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla, dhe 21 të akuzuarve tjerë me arsyetimin se dëshminë do ta japë një dëshmitar bashkëpunues.
Që në fillim të seancës së sotme, trupi gjykues i përbërë nga Beqir Kalludra (kryetar) dhe Lutfi Shala e Shasivar Hoti (anëtarë) e konstatuan këtë seancë të mbyllur për publikun.
Kalludra sot nuk e përmendi emrin e dëshmitarit, por ky emër ishte përmendur në një seancë të mëhershme duke shkaktuar skandal.
Seanca e sotme është duke u mbajtur në gjykatën e Gjilanit për shkak se në gjykatën e prishtinës mungojnë mjetet teknike përmes të cilavë do të dëgjohet dëshmitari bashkëpunues.
Në këtë rast gjyqësor, Azem Syla dhe 21 persona të tjerë akuzohen për krim të organizuar në tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.
Në dhjetor të vitit 2016, Azem Syla ishte deklaruar i pafajshëm.
Prokuroria Speciale më 25 tetor ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.
Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.
Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.
Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.