Azem Syla. Foto: Kallxo.com

Rasti i Azem Sylës, ish-prokurori vendor: Emrat që u përmendën sot janë të dëshmitarëve të mbrojtur

Në gjykimin ndaj Azem Sylës dhe të akuzuarve të tjerë në rastin “Toka”, në fjalën hyrëse, prokurori special Naim Abazi ka përmendur emrat e dëshmitarëve të mbrojtur edhe pse seanca ishte e hapur për publikun.

Në këtë shqyrtim gjyqësor gjatë fjalës hyrëse prokurori special Naim Abazi në mesin e dëshmitareve të cilët deklaroi se do t`i ftojë me kusht që të vërë në pah fajësinë e të akuzuarve, ka përmendur emrin e dëshmitarit të mbrojtur A.A. dhe N.N.

Lidhur me statusin e dëshmitarëve të përmendur nga prokurori special Naim Abazi, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me prokurorin paraprak të këtij rasti, Abdurrahim Islamin.

Islami për redaksinë tonë pohoi se njëri nga dëshmitarët e përmendur në seancë publike nga prokurori special Naim Abazi është dëshmitar i mbrojtur.

Megjithatë, Abdurrahim Islami nuk deshi të komentojë më tepër lidhur me veprimin e prokurorit Naim Abazi.

https://kallxo.com/skandal-ne-gjykimin-ndaj-azem-syles-zbulohen-emrat-e-deshmitareve-te-mbrojtur/

KALLXO.com kontaktoi edhe me ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit Special, Afrim Shefkiun por as ai nuk deshi të prononcohet për rastin me arsyetimin se nuk ka pranuar ndonjë informacion për rastin në fjalë.

“Tash për tash nuk mundem me deklaru asgjë, i shikojmë nesër”, ka thënë Shefkiu për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe prokurorin Blerim Igrishta i cili për të njëjtin rast gjyqësor, kishte iniciuar një procedurë penale ndaj avokatit Tomë Gashi, për shkak të dyshimeve për shkelje së fshehtësisë së procedurës dhe mospërfillje të gjykatës.

“Unë nuk jam kompetent me fol. Nuk kam informata dhe rrethanat mund te ndryshojnë nga rasti në rast”, tha Igrishta per redaksinë tonë.

E lidhur me qartësimin e statusit të këtyre dëshmitarëve KALLXO.com kontaktoi edhe me prokurorin e atëhershëm të EULEX-it, Danilo Ceccarellin, i cili tha se dëshmitarët e përmendur nga prokurori Naim Abazi janë dëshmitarë të mbrojtur dhe emrat e tyre nuk duhet të përmendën në seancë publike.

“Të dy emrat e dëshmitarëve janë në masën që nuk guxojnë të përmendën në seancë publike. Njëri nga ta është në programin e dëshmitarëve të mbrojtur”, ka thënë prokurori Ceccarelli për KALLXO.com.

https://kallxo.com/prokurori-italian-qe-hetoi-azem-sylen-publikimi-i-emrave-te-deshmitareve-shkelje-e-rende/

I kontaktuar nga KALLXO.com prokurori Abazi nuk ka dhënë përgjigje të saktë nëse dëshmitari është bashkëpunues apo i mbrojtur.

“Nuk e di saktë për shkak të numrit të madh të shkresave por do e saktësojmë ditëve në vijim”, ka thënë prokurori Abazi.

I pyetur nëse është në dijeni për aktakuzën që i është ngritur avokatit Tomë Gashi për zbulimin e emrit të dëshmitarit të njëjte në këtë rast Abazi ka thënë se nuk ka asnjë informacion për këtë çështje. Abazi është arsyetuar se emri i dëshmitarit është në aktakuzën e ngritur nga prokurori dhe ajo është publike.

Ndërsa Gjykatësi i rastit Beqir Kalludra nuk ka dashur të flasë nëse në seancën e tij kishte shkelje kur u përmendën publikisht emrat e dëshmitarëve.