Seanca ndaj të akuzuarve për vrasjen e Marigona Osmanit, Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu – 01.06.2023 / FOTO: Aulona Alaj – KALLXO.com

Rreth një muaj nga vendimi ndaj Dardan Krivaçës, palët ende nuk e kanë pranuar aktgjykimin

Kanë kaluar gati një muaj nga shpallja e aktgjykimit me të cilin Dardan Krivaça ishte dënuar me burgim të përjetshëm, kurse Arbër Sejdiu me 15 vjet burgim për vrasjen e Marigona Osmanit.

Që nga 4 gushti i këtij viti, as mbrojtësit e të dënuarve, avokatët Amir Salihu dhe Arbnora Shefkiu dhe as përfaqësuesi i familjes së Marigona Osmanit, avokat Gazmend Rexhepi, nuk e kanë pranuar këtë aktgjykim.

Nga Gjykata e Ferizajt kanë thënë për KALLXO.com se gjyqtari i cili e ka shpallur dënimin, Sahit Krasniqi, ka kërkuar afat shtesë për përpilimin e aktgjykimit. Kjo kërkesë është aprovuar nga kryetari i Gjykatës së Ferizajt.

“Gjyqtari i cili ka shpallur aktgjykimin, z.Sahit Krasniqi ka kërkuar afat shtesë për përpilimin e aktgjykimit tek kryetari i Gjykatës së Ferizajit, z. Mustafë Tahiri. Z.Tahiri e ka aprovuar këtë kërkesë” – thuhet në përgjigjen e Gentiana Hoxha, zëdhënëse e Gjykatës së Ferizajt.

Më 4 gusht 2023, Dardan Krivaça është shpallur fajtor për vrasjen e Marigona Osmanit dhe ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Derisa Arbër Sejidu u dënuar me 15 vjet burgim për ndihmë në kryerjen e vrasjes.

Ndërsa nga akuzat për dhunim dhe ndihmë në dhunim Krivaça dhe Sejdiu janë liruar. Rrethanë rënduese për Krivaçën gjeti shkallën e lartë të përgjegjësisë, rrezikshmërinë shoqërore, veprën e ka kry me paramendim nga motivi i xhelozisë.

Trupi gjykues ka bërë rikualifikimin e veprës për Arbër Sejdiun nga vrasja e rëndë në ndihmë në kryerjen e vrasjes.

Gjykimi për këtë rast ka filluar në korrik të vitit 2022, kurse vendimi ndaj tyre u dha më 4 gusht 2023. Drejtësisë iu deshën gati dy vite nga vrasja e Marigona Osmanit që rastit t’i jap epilog në shkallë të parë.

Çka thuhej në dosjen e vrasjes së Marigona Osmanit?

Në aktakuzën e Prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com tregohet se si kamerat e sigurisë që kanë qenë të vendosura në banesën e të pandehurit Krivaça, ka bërë që Prokuroria të sigurojë prova të forta për netët para ngjarjes fatale e për mënyrën se si u organizua dhunimi, e më pas vrasja e 18-vjeçares.Sipas konstatimit të Prokurorisë, në korridor të banesës së të pandehurit ka pasur të vendosur një kamerë sigurie, e cila regjistronte 24 orë e që ka xhiruar edhe momente të ngjarjes.

“Regjistrimi ka kohën e saktë, kamera ka pamje nga dera e hyrjes së banesës dhe banjo, e njëjta ka pamje edhe të një pjese të derës së një dhome gjumi, si dhe një dhomë tjetër të cilën e kap vetëm një qosh, kjo e fundit edhe është dhoma ku janë kryer veprat penale”, përshkruhet në aktakuzë.

“Policia ka marr DVR, e njëjta është dërguar për ekzaminim, ku janë tërhequr pamjet për periudhën kohore prej shtatëdhjetë e dy orë dhe atë nga data 19.08.2021 ora 00:05 deri më 23.08.2021 ora 00:18”, përshkruan aktakuza e Prokurorisë, e cila detajon edhe kohën e saktë dhe veprimet e dy të pandehurve brenda banesës.

Në aktakuzë theksohet se Prokuroria e ka konsideruar videon të besueshme dhe ngjarja është regjistruar prej datës 19 gusht 2021.“Ne e konsiderojmë videon të besueshme dhe të saktë, videoregjistrimet tregojnë se në fillim, konkretisht, më 19.08.2021, raportet në mes të pandehurit Dardan Krivaça dhe të ndjerës kanë qenë të mira, këto raporte fillojnë të përkeqësohen kur aty paraqitet i pandehuri Arbër Sejdiu, i cili vije në orën 16:18, së bashku me Dardanin, ku me vete ka një çantë me rroba, në orën 19:02, të pandehurit bisedojnë lidhur me kamerat, si dhe shikojnë se cilat pjesë të korridorit i kap kamera ku lëvizin në pjesë të ndryshme për të verifikuar se cilat pjesë të korridorit i kap kamera dhe vërehet se rolin apo fjalën kryesore për këtë e ka Arbër Sejdiu, në orën 19:56, Arbëri merr rrobat e tij dhe del nga banesa së bashku me Dardanin”, shkruhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Prokurori në aktakuzën e përpiluar, ka përshkruar se si është organizuar dhunimi e më pas vrasja e Marigona Osmanit.

“Më 21.08.2021, ora 02:40, Dardan Krivaça, pas mesnate deri sa është në banjë me të ndjerën Marigona Osmani, e godet me dorë në fytyrë,  04:52, dalin nga banesa, 09:53, i pandehuri Dardan Krivaça dhe e ndjera Marigona Osmani, kthehen ku vërehet se e ndjera nuk ka kontroll të plotë, i merren mendtë, 10:02, i pandehuri e dërgon në banjë të ndjerën Marigona Osmani, del në ora 10:14, ku vërehet se e njëjta reziston, mirëpo është kapur me duar dhe shtyhet me forcë drejt sallonit, 10:48, e dërgon me forcë në banjë, ku e ndjera është e zhveshur, ndërsa i pandehuri është veshur ku qëndrojnë deri në orës 11:09, kur dalin i pandehuri është zhveshur, dhe të ndjerën me dhunë e nxjerr nga banjë dhe e dërgon në dhomën e gjumit,  13:43, i pandehuri i cili është zhveshur i vendos kamerës një kapelë e cila mbulon pamjen deri në orën 19:57”, përshkruhet në aktakuzë.

Të gjitha raportimet e KALLXO.COM lidhur më këtë rast mund t’i ndiqni  në këtë LINK.