Ilustrim

Rrëfimi i Saranda Shalës si u morr për fajde lokali tek Xhamia e Llapit

Në gjykimin për fajde dhe detyrim ndaj të akuzuarve Agron Shala, Bashkim Tahiri dhe Naim e Osman Toçani, ka dëshmuar Saranda Shala.

Dëshmitarja rrëfimin e saj e filloi me  kredinë  bankare që e kishin marrë “Artani bashkë me agallarët Ekremin, Hasanin dhe Behgjetin për marrjen e së cilës ishte lënë diçka në hipotekë, por nuk e dinte se cilat nga pronat e tyre ishte lënë dhe sipas saj ajo kredi ishte paguar’’.

‘’Mirëpo ne vazhdimisht kishim rënie të gjendjes ekonomike dhe unë nuk e dija pse aty nisën problemet dhe telashet në familjen tonë’’, tha dëshmitarja Saranda Shala, si fëmija më i vogël I familjes.

Pyetur nga prokurori i rastit Ilaz Beqiri, se kur ishte takuar me Agronin, Toçanët dhe Bashkimin, dëshmitarja Shala tregoi “Unë me Agronin herën e fundit jam taku në fund të vitit 2014, kur kam shkuar te lokali ‘Auto Centar’ dyert e të cilit ishin të  mbyllura me dryna’’.

Tutje ajo tregoi se “Kur kam hy në auto sallon personi që i mbante drynat në duar ishte dhe në sallë i drejtohet Osman Toçanit, unë i pyeta mos keni me ble, ulë apo diçka tjetër, por Agroni, më tha se ‘me ty s`kemi punë kurrgjë, por me Artonin’, unë ju thashë se Artoni është jashtë vendit’’.

Ajo tha se “Jam e sigurt se po të kishte dal Artoni aty me siguri se e kishin mbyt”.

Në lidhje me shumën e borxhit ajo tha se “Agroni dhe Zhuti të cilit emrin nuk ia di më thanë që ‘na ka marrë Artani 25 mijë -30 mijë euro’, gjithashtu Naimi e ka pas një shkrepës në dorë dhe tha se ‘nëse Artoni nuk na i kthen paret e kalli objektin’’.

Shala vazhdoi dëshminë duke thënë se “Pastaj me Artanin dhe Labinotin kam biseduar dhe më kanë thënë që ‘edhe Agroni e Toçanët na kanë dhënë pare me fajde madje ma kanë marrë edhe një lokal për çështje të fajdeve’ kurse familja ka menduar që lokali është i dhënë me qira”.

“Në familjen tonë asnjëherë nuk është specifiku sa para borxh i ka pasur Artani, por për këtë e din Labinoti dhe Artani’’, tha dëshmitarja Shala.

Ndërsa për lokalin e vogël të Xhamia e Llapit, dëshmitarja tha se “Prej vitit 2001-2002 nuk e kemi shfrytëzu, kemi menduar se është lëshuar me qira nga viti 2005, ndërsa në vitin 2014 kam kuptuar se është marrë për fajde’’.

Pyetur nga i akuzuari Agron Shala se “A e di sa para mi ka borxh Artani’’, dëshmitarja u përgjigj “Nuk e di çka keni flliq me Artanin’’.

Në pyetjen e Avokatit Asdren Hoxha se “Ju deklaruat se biznesi juaj familjar ka qenë i suksesshëm ndër vite dhe keni pasur një jetë të mirë, ndërsa sot çfarë gjendje ka biznesi juaj’’ dëshmitarja Shala tha se “Jemi duke punuar nuk është si përpara, por po mundohemi me je dal disi”.

Avokati Hoxha tuje shtroi pyetje dëshmitares “Ju thatë se keni qenë në shtëpi kur keni shkuar të takoheni me personat në lokalin ‘’Auto Centar’’ sa është larg shtëpia juaj nga ky lokal?”

Dëshmitarja Shala deklaroi “20 min – deri në gjysëm ore’’.

Dëshmitarja Shala tha tutje se “Nuk jam ndal në polici për ta lajmëruar  rastin sepse ne kemi pas kërcënime edhe nga njerëzit e tjerë me të cilët  Artani ka pas raste të tilla, isha e frikësuar për jetën e tij’’.

Pyetur nga avokati Hoxha, se “Kush ishte në lokal atë ditë kur keni biseduar me Agronin, Naimin, Osmanin dhe Bashkimin?”

Dëshmitarja Shala tha se “Përveç të akuzaurve ishte edhe punëtori Kushtrim, i cili e ka dëgjuar bisedën’’.

“A kishte kamera në autoservis”, pyeti avokati Hoxha.

Dëshmitarja tha “Jo nuk ka pasur’’.

Kjo dëshmi përfundoi  me konstatimin e anëtares së trupit gjykues Nushe Kukaj Mekaj se “Ju nuk e dini sa para janë dhënë fillimisht dhe sa është kërkuar nga ju që t`i ktheni?”

Dëshmitarja Shala tha ‘’jo nuk e di’’.

Seanca e radhës u caktua me datën 8 nëntor në ora 09:30.

Gjykimi për fajde: I mora 16 mijë dhe i ktheva mbi 60 mijë euro

Prokuroria po i akuzon Agron Shalën dhe Bashkim Tahirin se duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit Artan Shala i kanë dhënë fajde, borxh në vlerë prej 16,500.00 euro me kamatë mujore nga 1,600.00 euro.

Sipas Prokurorisë, në emër të asaj kamate ata kishin përfituar rreth 50 mijë euro, ndërsa i pandehuri Agron Shala edhe një lokal në sipërfaqe prej 12 m2, në Prishtinë.

Edhe Osman e Naim Toçani akuzohen për fajde pasi, sipas Prokurorisë, e kanë shfrytëzuar gjendjen e rëndë ekonomike të të dëmtuarit dhe në shtator të vitit 2012 i kanë dhënë para me fajde në shumë prej 5 mijë euro me kamatë prej 500 euro në muaj, ndërsa tre muaj me vonë i japin edhe 5,000.00 të tjera me kamatë gjithashtu 500 euro në muaj me ç’rast i dëmtuari detyrohet që të akuzuarve t’ua paguajë 1 mijë euro kamatë mujore në emër të fajdesë.

Sipas aktakuzës vëllezërit Toçani përfituan nga i dëmtuari rreth 30 mijë euro vetëm në emër të fajdesë.

Poashtu, Prokuroria i akuzon të katërtit edhe për detyrim, pasi që të njëjtit i kanë detyruar të dëmtuarit Artan e Labinot Shala që të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre, duke i kërcënuar në format më të ndryshme, me ç’rast Artan Shala kishte qëndruar i mbyllur për një kohë të gjatë.

Sipas aktakuzës, katër të akuzuarit kishin shkuar tek objekti i të dëmtuarit Artan Shala dhe i kishin vënë drynat nëpër dyer duke e kërcënuar që nëse nuk ua kthen paratë do t’ia kallin objektin.