Monedha euro - Foto: REL/Reuters

Gjykimi për fajde: I mora 16 mijë dhe i ktheva mbi 60 mijë euro

Në gjykimin për fajde dhe detyrim, për çka akuzohen Agron Shala, Bashkim Tahir si dhe Naim e Osman Toqani, ka dëshmuar i dëmtuari Artan Shala.

Artani gjatë dëshmisë së tij para Gjykatës tregoi se si i pagoi mbi 50 mijë euro dhe dha një dyqan në Prishtinë për 16 mijë euro të cilat i kishte marrë fajde.

“I kam marrë 16.000 euro dhe i kam kthy ka 1.600 euro çdo muaj deri në shtator 2014. Këto para ia kam dhanë Agron Shalës dhe Bashkim Tahirit. Për 16.000 euro sa i kam marrë borxh me fajde nga Agroni, unë i kam pagu 50 mijë euro vetëm në emër të fajdesë si dhe në fund edhe 16 mijë të cilat i kisha marrë borxh”, tha i dëmtuari.

Ai shtoj se në emër të kamatës 1.500 euro ia ka dhënë Agron Shalës edhe lokalin 12 m2, i cili gjendej te Xhamia e Llapit në Prishtinë.

Shumën prej 16 mijë euro, Artan Shala tha se e kishte marrë në mënyrë që t’ia paguante kamatën një fajdexhiu tjetër.

Artani tregoi edhe për shumat që kishte marrë nga vëllezërit Toqani.

“Prej Osmanit dy herë i kam marrë nga 5.000 euro, në emër të të cilave i kam pagur 1 mijë euro në muaj te Naim Toqani”, tha i dëmtuari.

Ai po ashtu tregoi se në rastin kur i kishte vonuar dy ditë paratë ishte detyruar të paguante 1.200 euro më shumë.

Prokuroria po i akuzon Agron Shalën dhe Bashkim Tahirin se duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit Artan Shala i kanë dhënë fajde, borxh në vlerë prej 16.500 euro me kamatë mujore nga 1.600 euro.

Sipas Prokurorisë në emër të asaj kamate ata kishin përfituar rreth 50 mijë euro, ndërsa i pandehuri Agron edhe një lokal në sipërfaqe prej 12 m2, te kovaçët në Prishtinë.

Edhe Osman e Naim Toqani akuzohen për fajde pasi e kanë shfrytëzuar gjendjen e rëndë ekonomike të të dëmtuarit dhe në shtator të vitit 2012 i kanë dhënë para me fajde në shumë prej 5 mijë euro me kamatë prej 500 euro në muaj ndërsa tre muaj me vonë i japin edhe 5.000 të tjera me kamatë gjithashtu 500 euro në muaj me ç’rast i dëmtuari detyrohet që të akuzuarve t’ua paguajë 1 mijë euro kamatë mujore në emër të fajdesë.

Sipas aktakuzës vëllezërit Toqani përfituan nga i dëmtuari rreth 30 mijë euro vetëm në emër të fajdesë.

Po ashtu Prokuroria i akuzon të katërt edhe për detyrim, pasi që të njëjtit i kanë detyruar të dëmtuarit Artan e Labinot Shala që të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre, duke i kërcënuar në format më të ndryshme, me ç’rast Artan Shala kishte qëndruar i mbyllur për një kohë të gjatë.

Sipas aktakuzës katër të akuzuarit kishin shkuar tek objekti i të dëmtuarit Artan Shala dhe i kishin vënë drynat nëpër dyer duke e kërcënuar që nëse nuk ua kthen paratë do t’ia kallin objektin.