Promovohet vëllimi i tretë 'Secili çmendet simbas mënyrës se vet' i Stefan Çapalikut

Shkrimtari Stefan Çapaliku ka promovuar të mërkurën, 19 dhjetor 2018, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë vëllimin e tretë të trilogjisë, ‘Secili çmendet simbas mënyrës se vet’.

Edhe ky roman sikurse ato pararendëse është krijuar mbi kujtesën që ka lënë gjurmë tek autori, dhe përfshinë periudhën pas rënies së komunizmit në Shqipëri deri në viti 1997.

Krijuesi dhe publicisti Agron Shala, duke hapur promovimin ka pohuar se vëllimi i tretë i ciklit romananesk ‘Secili çmendet simbas mënyrës se vet’, përfshinë periudhën e pas komunizmit në Shqipëri deri në viti 1997, duke vlerësuar atë se çfarë ofron ky roman për lexuesin.

“Vëllimet e romanit ‘’Secili çmendet simbas mënyrës se vet’ janë vëllime me interesante në një gegërishte për lakmi, duke shkruar edhe për një detal tjetër, në një zhanër që është pak i prekur në letërsinë tonë”, ka thënë ndër të tjerash Shala.

Ndërsa shkrimtari Çapaliku gjatë fjalës së tij ka potencuar se pas pjesës së tretë të trilogjisë, ‘Secili çmendet simbas mënyrës se vet’, do të vijë edhe pjesa e katërt e cila do të prek vitet 1997 e këndej dhe do të flitet edhe për Kosovës.

Më pas ai ka treguar edhe lindje dhe rrugëtimin e kësaj trilogjie, si dhe paralajmëruar fundi me një botim të ri.

“Libri i parë i kësaj trilogjie ka nisur si një nevojë e autori për të nxjerrë disa kujtime gjë që secili ka diçka për të treguar. Andaj nevoja për me nda këtë nevojë me tjetrin bëhet një barrë e rëndë. Te pjesa e parë e kam gjetur kohën e duhur, mandej kam kujtuar se ndoshta edhe për shkaka të reagimeve mund të vazhdoj me të dytin dhe i treti edhe vetë”, ka thënë ai, duke shtuar se pjesa e katërt do të jetë e fundi i kësaj trilogjie.

Më pas Çapaliku ka pasur një bashkëbisedim me audiencë ku ka folur rreth krijimtarisë së tij, frymëzimit, temave që prekë dhe shumë çështjeve tjera mbi dhe rreth letërsisë, duke sqaruar edhe të shkruarit në gegërisht dhe problematikën dhe përparësitë e fokusimit tek lokalja dhe globalja si vlera universale.