Foto: Facebook/Policia e Shtetit

Fajdet: Rrëfimi i motrës që pagoi mijëra euro fajde të të vëllait

Në gjykimin për fajde dhe detyrim, për çka akuzohen Agron Shala, Bashkim Tahir si dhe Naim e Osman Toqani, ka dëshmuar Valentina Shala.

Dëshmitarja tha se në vitin 2014 kishte pasur telefonata nga të akuzuarit Naim Toqani dhe Agron Shala, të cilët i kishin thënë se duhej të takoheshin për disa borxhe që vëllai i saj ua kishte atyre.

“Problemet kanë lindur nga nëntori i vitit 2014. Mua më kanë thirrë në telefon Naimi dhe Agroni, më kanë thanë: A mundemi me dalë me pi një kafe dhe me folë për do borxhe të Artanit, vëllait tim, dhe kjo ka qenë një periudhë e tmerrshme për neve”, tha dëshmitarja Valentina Shala.

Tutje, dëshmitarja tha se i akuzuari Naim Toqani e kishte njoftuar përmes telefonit se vëllai i saj, Artani, i kishte një borxh në shumën prej 30 mijë eurosh.

“Naimi më ka thënë në telefon se 30 mijë euro na a i ka marrë vëllai yt Artani”, shtoi ajo.

Më pas ajo tregoi se vëllai i saj, Labinoti, e kishte thirrur në telefon dhe i kishte thënë: “Dojnë me më mbyt”.

Pas kësaj telefonate, ajo tha se kishte shkuar në bankë, ku kishte tërhequr para dhe ia kishte dhënë vëllait të saj, herë 500 euro, herë 1.000 euro, shumë e cila kishte mbërri deri në 30 mijë euro.

Kur u pyet nga anëtarja e trupit gjykues Nushe Kukaj- Meka se a e ka ditur për çka e kishte vëllai i saj atë borxh, dëshmitarja tha se ka qenë në dijeni për një kredi por se bëhej fjalë për fajde nuk kishte qenë në dijeni asnjëherë.

Tutje ajo tregoi se vëllai i saj, Labinoti, e kishte njoftuar se i akuzuari Agron Shala ia kishte marrë një lokal të cilin e kishin biznes familjar.

Kurse sa u përket parave, dëshmitarja tha se para në dorë nuk u ka dhënë të akuzuarve asnjëherë.

Dëshmitarja tutje tha se kishte përjetuar tmerrin për ato vite.

Këtë tmerr ajo tha se e ka përjetuar nga familjarët e saj.

Kur u pyet se kush janë familjarët e saj, ajo u përgjigj se të akuzuarin, Agronin, e ka të afërm, ndërsa të akuzuarit Toqani i ka dajë të babës.

Dëshmitarja Valentina Shala më pas tha se për borxhin që vëllezërit e saj ua kishin të akuzuarve nuk kishte pasur dijeni, por e kishte kuptuar nga telefonata e të akuzuarit Naim Toqani.

“Unë për borxhin që vëllezërit e mi ua kanë këtyre personave, e kam kuptuar vetëm kur më ka thirrë Naimi në telefon dhe se gjithmonë paret vëllai më ka thënë qe i ka marrë për kredi, e s’e kam ditë qe ua ka marrë borxh këtyre personave”, shtoi ajo.

Ndërkaq kur u pyet se a kanë qenë vëllezërit e saj ndonjëherë të kërcënuar nga këta persona, dëshmitarja tha se vëllezërit kanë qenë të kërcënuar.

https://kallxo.com/gjykimi-per-fajde-i-mora-16-mije-dhe-i-ktheva-mbi-60-mije-euro/

Prokuroria po i akuzon Agron Shalën dhe Bashkim Tahirin se duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit Artan Shala i kanë dhënë fajde, borxh në vlerë prej 16.500 euro me kamatë mujore nga 1.600 euro.

Sipas Prokurorisë, në emër të asaj kamate ata kishin përfituar rreth 50 mijë euro, ndërsa i pandehuri Agron Shala edhe një lokal në sipërfaqe prej 12 m2, në Prishtinë.

Edhe Osman e Naim Toqani akuzohen për fajde pasi, sipas Prokurorisë, e kanë shfrytëzuar gjendjen e rëndë ekonomike të të dëmtuarit dhe në shtator të vitit 2012 i kanë dhënë para me fajde në shumë prej 5 mijë euro me kamatë prej 500 euro në muaj ndërsa tre muaj me vonë i japin edhe 5.000 të tjera me kamatë gjithashtu 500 euro në muaj me ç’rast i dëmtuari detyrohet që të akuzuarve t’ua paguajë 1 mijë euro kamatë mujore në emër të fajdesë.

Sipas aktakuzës vëllezërit Toqani përfituan nga i dëmtuari rreth 30 mijë euro vetëm në emër të fajdesë.

Po ashtu, Prokuroria i akuzon të katërt edhe për detyrim, pasi që të njëjtit i kanë detyruar të dëmtuarit Artan e Labinot Shala që të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre, duke i kërcënuar në format më të ndryshme, me ç’rast Artan Shala kishte qëndruar i mbyllur për një kohë të gjatë.

Sipas aktakuzës, katër të akuzuarit kishin shkuar tek objekti i të dëmtuarit Artan Shala dhe i kishin vënë drynat nëpër dyer duke e kërcënuar që nëse nuk ua kthen paratë do t’ia kallin objektin.