Seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve Bedri dhe Albian Nika. FOTO: Krenare Ferati - KALLXO.com - 13.06.2024

Rigjykimi ndaj ish-kryetarit të LDK-së në Drenas Bedri Nika i akuzuar për pastrim parash, ndërpritet seanca

Bedri Nika, ish-kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës – Dega në Drenas dhe Albian Nika, të akuzuar për pastrim të parave janë ulur në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës të enjten më 13.06.2024.

Për shkak se mbrojtësi i të akuzuarit Bedri Nika, avokati Granit Hadërgjonaj kërkoi kohë që të përgatiste mbrojtjen, seanca e sotme u ndërpre,

“Me këtë lëndë vetëm tre ditë më parë jam ngarkuar dhe nuk kam arritur të përgatisë mbrojtjen”- tha avokati i të akuzuarit Bedri Nika, Granit Hadërgjonaj.

Trupi gjykues në përbërje të Mentor Bajraktari dhe dy anëtarët Arben Hoti dhe Lutfi Shala e aprovuan kërkesën për shtyrjen e seancës.

Paraprakisht kryetari i trupit gjykues, Mentor Bajraktari njoftoi se kjo çështje ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme dhe pasi që u konsiderua e lexuar aktakuza, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm lidhur me veprat penale që ju ngarkohen.

Po ashtu janë dhënë edhe fjalët hyrëse, prokurori Milot Krasniqi deklaroi se qëndron pas fjalëve të cilat i ka dhënë më herët dhe nuk ka çfarë të shtoj më tepër.

Mbrojtësi i të akuzuarit Bedri Nika, avokati Granit Hadërgjonaj fjalën hyrëse e kishte përgatitur me shkrim, mirëpo disa nga ato i elaboroi edhe gjatë seancës së sotme.

Gjatë fjalëve hyrëse ai tregoi se nga gjykata pret që të shpallet një aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit Bedri Nika, ndërsa i akuzuari Bedri Nika i mbështeti fjalët e avokatit të tij dhe nuk kishte çfarë të shtonte më tepër.

Mbrojtësi i të akuzuarit Albian Nika, avokati Përparim Haliti nuk kishte po ashtu çfarë të shtonte ndonjë gjë më shumë nga shqyrtimet e kaluara.

Pas fjalëve hyrëse, kryetari i trupit gjykues Mentor Bajraktari bëri të ditur se meqenëse çështja është në rivendosje nuk ka të ftuar ndonjë dëshmitarë, palët u pajtuan që të lexohen deklaratat e dëshmitarëve.

Shqyrtimi gjyqësor i radhës lidhur me këtë çështje pritet të mbahet më datë 05.07.2024.

Gjykata Themelore në Prishtine kishte shpallur aktgjykim duke e dënuar të akuzuarin Bedri Nika me 1 vit burgim dhe 15 mijë euro gjobë për veprën penale “pastrim i parasë”, ndërsa e kishte liruar për veprën penale “blerja, pranimi dhe fshehja e sendeve të përfituara me vepër penale. Kurse të akuzuarin Albian Nika për veprën penale “pastrim i parasë” e kishte dënuar më 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Këtë vendim të Themelores e kishte vërtetuar edhe Apeli, por jo edhe Gjykata Supreme, e cila e kishte kthyer rastin në rigjykim pas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësve të të akuzuarit Bedri Nika dhe Albian Nika.

Çka thotë dosja e Prokurorisë?

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, i pandehuri Bedri Nika në intervalin kohor 21 shkurt 2021 e deri më 11 mars 2021, në vend të panjohur, me qëllim të përfitimit në mënyrë të kundërligjshme, fillimisht ka siguruar para të gatshme dhe atë 118 bankënota në vlerë 50 euro, nga një burim i panjohur.

Në aktakuzë thuhet se më pas të njëjtat para janë prekur nga një reagjent kimik dhe ia ka dhënë të bashkëpandehurit Albian Nika dhe vajzës së tij, me udhëzimin dhe kërkesën për t’i deponuar në disa raste të ndara në llogarinë e tyre bankare në bankën NLB në Drenas.

Në aktakuzë thuhet se këto bankënota janë vënë në qarkullim si para standarde, duke qenë në dijeni se të njëjtat janë përfituar nga aktivitete kriminale.

Ndërsa në pikën dy të diapozitivit të aktakuzës, Bedri Nika dhe Albian Nika po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale pastrim i parave. Sipas Aktakuzës në datat e lartcekura, Bedri Nika ia jep nipit të tij Alban Nikës dhe vajzës së tij udhëzimin dhe kërkesën që të njëjtat përmes llogarive të tyre bankare në bankën NLB, t’i deponojnë përmes bankomateve (ATM) e më pas duke shfrytëzuar bankomatët e tjerë të të njëjtës bankë t’i tërheqë në para të gatshme.

Pas këtyre veprimeve, sipas Prokurorisë i pandehuri Albian Nika, menjëherë i ka tërhequr paratë nga bankomatet tërheqëse në shumën e njëjtë dhe të njëjtat ia ka dorëzuar të pandehurit Bedri Nika.

Me këto veprime sipas Prokurorisë i njëjti ka provuar që ta mashtrojë bankën dhe të maskojë origjinën e vërtetë të parave, duke i shkaktuar dëm bankës NLB në Drenas, me vlerën e parave të deponuara dhe tërhequra.