Gjykimi për plagosjen e Azem Vllasit, ndaj të akuzuarve në rastin e njohur si Syri i Popullit - 12.04.2019

Refuzohet kërkesa për përjashtimin e prokurorit Sylë Hoxha në rastin e plagosjes së Azem Vllasit

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Afrim Shefkiu, ka refuzuar kërkesën e mbrojtësit të Sadri Ramabajës, avokatit Ramiz Krasniqi, për përjashtimin e prokurorit Sylë Hoxha nga ky rast.

Seanca e datës 11 korrikut ishte ndërprerë pasi që avokatët e rastit kishin kërkuar përjashtimin e trupit gjykues dhe të Prokurorit të rastit.

Në kërkesën e siguruar nga KALLXO.com, avokati Ramiz Krasniqi ka arsyetuar këtë kërkesë me faktin se emri i prokurorit Sylë Hoxha figuron në listën- Programin; Vrasja e tradhtisë, të lëvizjes ‘Syri i Popullit’. Sipas Krasniqit sikurse edhe të tjerët që figurojnë në këtë listë, Hoxha do të duhej të dëgjohej si dëshmitar apo si i dëmtuar.

Në një deklaratë për KALLXO.com, avokati Krasniqi tha për KALLXO.com se fakti që Sylë Hoxha është prokuror i këtij rasti paraqet “konflikt interesi”.

Në aktvendimin e Prokurorisë Speciale thuhet se prokurori nuk është i dëmtuar dhe se nuk ekziston kurrfarë konflikti i interesit e as ndonjë rrethanë tjetër që do të arsyetonte përjashtimin e prokurorit Hoxha.

Në bazë të Prokurorisë Speciale, i akuzuari Rexhep Topllana i ka dërguar kërkesë asaj ku ka deklaruar se nuk është i pajtimit me përjashtimin e prokurorit të rastit në këtë çështje penale.

Gjithashtu edhe kërkesa për përjashtimin e trupit gjykues ishte refuzuar nga kryetarja e Gjykatës Themelore.

Kërkesat për përjashtimin e trupit gjykues dhe prokurorit ishin bërë pasi që në seancë ishte ftuar në cilësinë e të dëmtuarit Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, që të merrte në pyetje të akuzuarin Sadri Rambaja.

Naim Rudari, avokati i të akuzuarit Avni Llumnica, pas seancës së 11 korrikut kishte deklaruar se “procesi sot është ndërprerë ngase ne avokatët kemi kërkuar përjashtimin e trupit gjykues dhe prokurorit sepse ka ardhur një i dëmtuar me bo pyetje dhe i është dhënë liria e pakufizuar me bo pyetje dhe ka marrë rolin e prokurorit”.

Në këtë rast të akuzuar janë Sadri Ramabaja, Murat Jashari, Ragip Sallova, Avni Llumnica, Sabit Berisha, Bexhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana.

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë në lidhje me këtë rast më 28 shkurt, disa muaj pas plagosjes së avokatit kosovar Azem Vllasi.

Pjesë e aktakuzës janë  vepra penale duke filluar hakmarrje, ndihma, dhunimi, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe hakmarrje.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

KALLXO.com e kishte siguruar aktakuzën ndaj të akuzuarve si pjesëtarë të “Syrit të Popullit”.

Sipas aktakuzës, organizata kishte grupe guerile, ndërsa kërkonte që diktatori shqiptar, Enver Hoxha të njihej si hero.

Kallxo.com ka raportuar vazhdimisht për rrjedhën e këtij rasti.