Afera e filmuar nga KALLXO.com, ndëshkohet prokurori Ramiz Buzhala

Muaj më parë, me anë të një hulumtimi të transmetuar në emisionin ‘Drejtësia në Kosovë’, përmes një video incizimi, u raportua për mënyrën se si prokurori i Prokurorisë së Gjakovës Ramiz Buzhala, gjatë trajtimit të një rasti e kishte udhëzuar familjarin e një viktime të lënduar në vendin e punës që viktima të tërhiqet nga ndjekja penale e pronari i një biznesi të dënohet më pak.

Përpos publikimit të këtij video incizimi, KALLXO.com me shkresë të veçantë e ka informuar edhe Këshillin Prokurorial të Kosovës për sjelljen e prokurorit Buzhala.

Disa muaj pas këtij raportimi është kuptuar se ndaj prokurorit Buzhala, tashmë është shqiptuar një masë disiplinore për rastin në fjalë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni.

Hyseni tha se pas raportimit të KALLXO.com, ndaj prokurorit Buzhala është zhvilluar procedurë disiplinore dhe më pas të njëjtit i është shqiptuar një masë disiplinore.

Për llojin e masës së shqiptuar ndaj prokurorit Buzhala, kryesuesi i KPK-së tha se momentalisht nuk mund të deklarohet pasi që prokurori ka të drejtë ankese në Gjykatën Supreme dhe vetëm kur vendimi të bëhet i plotfuqishëm mund të bëhet e ditur edhe masa.

Në emisionin “Drejtësia në Kosovë”, ishte transmetuar filmimi gjatë një takimi në mes të prokurorit dhe një familjari të viktimës (Ruzhdi Ramadanit një qytetari nga Ferizaj i cili është lënduar në një aksident në punë).

Gjatë bisedës është zbuluar se prokurori i ka sugjeruar familjes që mos ta ndjekin penalisht pronarin e biznesit me arsyetimin se nuk është në të mirë të tyre që pronari të jetë i dënuar.

Mentor Ramadani ishte lënduar në vitin 2016 në një aksident në punë ndërsa rasti penal ndaj pronarit të kompanisë ende nuk ka përfunduar.

Takimi në mes prokurorit dhe vëllait të viktimës është zhvilluar në kohën kur aktakuza ishte në Gjykatë ndërsa biseda në mes tyre vazhdon kur prokurori i thotë vëllait të viktimës se çfarë ke interes ti nëse pronari dënohet, pasi që një pronar i lig nuk do të mund ta paguajë dëmin.

“Kur të vjen fundi me ngu vllaun, ai mundet me thanë jena marrë vesh, nuk kam qef m’u dënu, ka ndodhë pa dashje, edhe këto i merr gjykata te masa e dënimit”, dëgjohet ta udhëzoj prokurori, vëllain e viktimës.

Ai tutje i ka thënë familjarit se për ta nuk është e rëndësishme të dënohet pronari.

“Juve është me rëndësi ky veç me u shpallë fajtor, nuk është me rëndësi masa e dënimit në gjykatë”, i thotë prokurori .

Madje prokurori, vëllait të viktimës i ka përmendur edhe disa raste civile të aksidenteve të komunikacionit duke i thënë se familjes nuk i duhet një pronar i dënuar.

“Po flas shumë popullore, çka ki interes ti me qenë pronari i dënuar. Çka, çka fiton, ty të vyn sot shumë më i fortë më qenë ai pronar që me mujt me pagu pensionin e paret e krejt” ka thënë prokurori Buzhala.

Skandal: Prokurori filmohet duke negociuar dënim më të ulët për biznesmenin

Ky është prokurori i dytë ndaj të cilët KPK ka shqiptuar masë disiplinore pas raportimit të KALLXO.com, për shkelje të Kodit të Etikës dhe Sjelljes Profesionale për Prokurorë nga ana e këtyre prokuroreve.

Masë disiplinore është shqiptuar edhe ndaj prokurorit Rexhep Maqedonci, i cili e quajti ‘të poshtër’ studenten që u ankua për ngacmim seksual.

KALLXO.com kishte publikuar një audio incizim që shpërfaqte mënyrën se si prokurori Rexhep Maqedonci ende pa e intervistuar viktimën dhe pa e trajtuar rastin, e paragjykoi rastin dhe e fyu raportuesen.

Pas raportimit të KALLXO.com, prokurori Maqedonci largohet nga rasti i studentes që u ankua për ngacmim seksual