Ambasada Amerikane i refuzon vizën Prokurorit të Shtetit

Prokurorit të Shtetit Paulin Pashku i është refuzuar viza për të ndjekur studimet në ShBA.

Lajmi është konfirmuar nga vet Pashku ndërsa Ambasada nuk ka dhënë ndonjë arsyetim për këtë refuzim.

Duke e parë si një mundësi ideale për ngritjen dhe aftësimin e tij profesional, Prokurori Paulin Pashku kishte aplikuar për bursë 9 mujore studimi në Universitetin “Wake Forest”, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Pashku i ishte nënshtruar testeve dhe intervistës dhe pasi i kishte kaluar me sukses, kishte pranuar lajmin e lumtur se ishte përzgjedhur për të ndjekur këtë program.

Fatin e njëjtë me Pashkun e kishte edhe prokurori Arben Hoti ndërsa në mbledhjen e 3 korrikut në mbledhjen e KPK-së ishte nxjerrë vendimi me të cilin ju lejohej ndjekja e këtij programi dhe obligoheshin që pas përfundimit të ktheheshin për të shërbyer si prokurorë në Republikën e Kosovës.

Megjithatë, për befasinë e tij, Pashkut i ndodh e papritura, atij i refuzohet viza nga Ambasada Amerikane në Kosovë me një arsyetim, që atij i duket i pabesueshëm.

“Viza më është refuzuar me arsyetimin se nuk kam ofruar garanci se do të kthehem në Kosovës. Me sa di unë, jam prokurori i parë që i ndodhë një gjë e tillë”, tha Pashku.

Befasia e Pashkut me këtë refuzim është edhe më e hidhur pasi thotë se programi në të cilin ai aplikoi, është një program që derivon nga bashkëpunimi i KPK-së me Ambasadën Amerikane në Kosovë.

“Gjithçka ka qenë e organizuar  dhe e financuar  prej një programi që vepron në kuadër të  Ambasadës Amerikane, s’po mundem me kuptu se si ka ndodhë”, tha Pashku.

KALLXO.com në lidhje me këtë rast ka dërguar pyetje në Ambasadën Amerikane në Prishtinë por nuk ka pranuar përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.

Pyetje i janë dërguar edhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, mirëpo as nga ta KALLXO.com nuk ka pranuar përgjigje.

Vitin e kaluar prokurori Elez Blakaj është larguar nga Kosova për në ShBA pas presioneve të cilat ai i denoncoj gjatë hetimit të rastit të njohur si Veteranët.