Foto: Kallxo.com

Prokuroria: Regjistroi 70 litra naftë në faturë të komunës, 10 litra i mori për vete

Në Gjykatën e Gjilanit ka dështuar për herë të tretë të mbahet seanca ndaj një të akuzuari për përvetësim në detyrë.

Gjyqtari i rastit, Islam Thaçi, i ka njoftuar të pranishmit se nuk ka kushte për mbajtjen e shqyrtimit të sotëm fillestar dhe ka deklaruar se të akuzuarin do ta ftojë në mënyrë të rregullt për seancën e radhës nëse konstatohet se ai gjendet në liri, kurse nëse gjendet në paraburgim ai do të sillet nga njësiti për transportin e të burgosurve.

Seanca u shty për muajin dhjetor.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Vlasta Bogdanoviq gjatë muajit prill të vitit 2019, në pompën e benzinës “Tina Petrol” në Kllokot, kishte regjistruar se e kishte mbushur veturën zyrtare me 70 litra karburant ndërkohë që në rezervuar i kishte hedhur vetëm 60 litra.

Aktakuza thotë se më vonë, Bogdanoviq kishte shkuar me veturën private të tipit “Renault” në të njëjtën pompë dhe kishte marrë 10 litrat e paguara nga buxheti i komunës, të evidentuara paraprakisht në faturë.

Në kohën kur dyshohet se e kishte kryer këtë vepër penale, Bogdanoviq ishte Asistent i kryesuesit të Asamblesë Komunale të Kllokotit.